Dosja e Prokurorisë Speciale ka nxjerrë në dritë detaje të reja që shtojnë dyshime për veprimet inkriminuese të të pandehurit Fatmir Sheholli. Hetuesia ka dokumentuar prova materiale të cilat forcojnë dyshimet mbi aktivitetin e tij ilegal dhe lidhjet e mundshme me strukturat e inteligjencës serbe.
Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, gjatë një kontrolli të ushtruar më 9 tetor 2025, organet e rendit kanë sekuestruar si dëshmi materiale katër dokumente zyrtare të Republikës së Serbisë, të gjitha në emër të Fatmir Shehollit. Mjetet e identifikimit të konfiskuara përfshijnë dy pasaporta serbe, një letërnjoftim të emituar po nga Republika e Serbisë, si dhe një librezë ushtarake të ish-Jugosllavisë.
Dosja thotë se këto dokumente serbe i kanë mundësuar Shehollit lëvizjen e lirë në territorin e Serbisë, duke i lehtësuar kështu realizimin e kontakteve të drejtpërdrejta dhe kryerjen e detyrave të ndërlidhura me shërbimin sekret serb, BIA.
“Gjatë kontrollit të kryer më 09.10.2025, si dëshmi A#1, janë sekuestruar katër (4) dokumente të Republikës së Serbisë në emër të të pandehurit Fatmir Sheholli, përkatësisht dy pasaporta, një letërnjoftim i Republikës së Serbisë dhe një librezë e Ushtrisë së ish-Jugosllavisë. Posedimi i këtyre dokumenteve Serbe, dëshmon se të pandehurit, i është mundësuar lëvizja edhe në territorin e Serbisë duke i lehtësuar mundësinë e realizimit të kontakteve dhe detyrave të ndërlidhura me veprimtarinë e BIA-së”, thuhet në aktakuzë.
Në aktakuzë përmendet edhe një raport tjetër i Policisë së Kosovës, që përmban dëshmitë dhe provat e sigurara gjatë kontrolleve të kryera ndaj Shehollit.
Aty theksohet blerja e një banese nga i pandehuri Sheholli dhe bashkë me një media serbe.
“Gjatë realizimit të kontrollit të datës 09.10.2025, nga dëshmia e sekuestruar (dëshmia A#35) janë gjetur dokumente që ndërlidhen me blerjen e banesës nga i pandehuri Fatmir Sheholli dhe shitësi JP Radio-Televizije Srbije – Beograd, Takovska 10.”, thuhet në aktakuzë.

Po ashtu, sipas aktakuzës, nga dëshmia A#35 (prova 22), e sekuestruar gjatë kontrollit në banesën dhe automjetin e të pandehurit Fatmir Sheholli, rezulton se i njëjti ka poseduar dokumentacionin origjinal lidhur me një banesë në Prishtinë, të cilën e ka blerë nga JP Radio-Televizija Srbije – Beograd ku edhe ka qenë i punësuar, përmes kontratës së shitblerjes të lidhur me këtë institucion.












