Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për Fatmir Shehollin i dyshuar për spiunazh, përmendet edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Në dosjen e Prokurorisë Speciale flitet për misionin e RDB-së serbe për rekrutimin e Albin Kurtit, në kohën sa ai ishte në burgjet serbe.
Sipas një prove të siguruar nga Prokuroria, që është një dokument i RDB-së serbe të cilin e ruante në telefon Fatmir Sheholli, përshkruhet një plan operativ për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burgjet e Serbisë.
“Nga analiza e dëshmisë Z#4.1, përkatësisht dokumentit të emërtuar “Leptiri”, të gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli, rezulton se bëhet fjalë për një dokument i përpiluar nga struktura të Sigurimit Shtetëror të Serbisë (RDB) në vitin 2001, i cili përshkruan një plan operativ për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burgjet e Serbisë. Sipas përmbajtjes së dokumentit, parashihej përdorimi i një burimi operativ me nofkën “Leptiri” për sigurimin e materialeve komprometuese, me qëllim të ushtrimit të presionit ndaj tij për bashkëpunim me RDB-në”, thuhet në dosjen e Prokurorisë Speciale.

Sheholli, i pyetur në Prokurori për prejardhjen e këtij dokumenti, ka deklaruar se atë e kishte pranuar nga Bojan Dimiq në telefonin e tij.
“Këtë dokument ma ka dërgu Bojan Dimiq në telefonin tim”, ka deklaruar Sheholli. “Këtë ia kam dërgu Milazim Gashit, një mikut tim i cili është në SHISH të Shqipërise me emrin Dritan Gjoni – Shef i SHISHIT në Durrës, ja kam dergu Blerim Canaj dhe nje personi me emrin Bashkim Pushkolli por nuk jam i sigurt a ia kam dërgu.”












