Më 6 qershor, me kafe e pije të tjera në tavolinë, një punëtorit të ri në Organin Shqyrtues të Prokurimit, i ishte bërë një pritje e veçantë.
Një shkrepje nga ky takim i parë mirëpritës, Shpejtim Arifi, asamblist i VV-së në komunën e Shtërpcës, e ndau në rrjetet e tij sociale.
“Faleminderit për mirëpritje! Organi Shqyrtues i Prokurimit”, kishte shkruar Arifi në rrjetin e tij social facebook. Poshtë postimit, një numër i madh komentuesish e kishin uruar për punën e tij të re. Në shumicë, ishin edhe aktivistë, përkrahës, e zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes. Në mesin e tyre edhe deputetë.
Urimet për Arifin nga zyrtarët e partisë në pushtet, nuk ishin të rastësishme. Shpejtim Arifi për kohë të gjatë është në strukturat e larta të Vetëvendosjes. Aktualisht, para se të punësohej në Organin Shqyrtues të Prokurimit si zyrtar i lartë ligjor, Arifi kishte qenë asamblist i Vetëvendosjes në komunën e Shtërpcës. Pozitë kishte edhe në Këshillin e Përgjithshëm të VV-së, si anëtar.

Fotografitë e shumta nëpër mbledhje e takime të partisë, Arifi shihet me figura të rëndësishme në Vetëvendosje. Në zgjedhjet e fundit të vitit 2021, ai kishte qenë kandidat për deputet nga radhët e Vetëvendosjes, ku nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme.
Pas një angazhimi goxha të gjatë në strukturat e partisë, radha edhi që Arifi të rehatohet në një institucion të rëndësishëm si OSHP-ja, që ndryshe njihet Gjykata e Tenderëve. Arifi në këtë institucion është punësuar në pozitën “Zyrtar i Lartë Ligjor”, ku paga kalon shumën e 630 eurove.
Shpallja për këtë konkurs ishte bërë nga OSHP-ja me date 5 shkurt të këtij viti. Më 29 mars, gati një muaj e gjysmë më pas, u konfirmua lista e të gjithë kandidatëve që kishin plotësuar kriteret. Numri i tyre ishte 39. Tek në muajin qershor u publikuan rezultatet përfundimtare.
Nga 39 kandidatë, pra garë e ashpër për këtë pozitë, Shpejtim Arifi grumbulloi 66.2 pikë me shkrim, dhe 24 pikë me gojë. Me 90.2 pikë në total, ai u përzgjodh si më i sukseshmi në pozitën e zyrtarit ligjor.
E disa ditë pas publikimit të rezultateve, ai e nisi edhe punën, ku siç u pa nga postimet në facebook, mirëpritja nuk mungoi. Nga postimet në rrjete sociale, gjithashtu u kuptua se angazhimi i tij në parti nuk është ndalur, edhe pas punësimit. Ai mori pjesë në takime të ndryshme që partia organizoi me mërgatën, mori pjesë në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm, dhe takime të tjera.
Organi Shqyrtues i Prokurimit, e ka mohuar të ketë pasur ndonjë ndikim për ta rehatuar asamblistin e Vetëvendosjes në pozitën e zyrtarit ligjor.
“Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) është e përkushtuar për të siguruar një proces rekrutimi të drejtë, transparent dhe të bazuar në meritokraci. Përzgjedhja e Zyrtarit të Lartë Ligjor është bërë në përputhje të plotë me kriteret e përcaktuara në konkurs dhe procedurat standarde të rekrutimit. Nuk ka pasur asnjë ndikim të jashtëm lidhur me këtë proces. Kandidati u zgjodh si më i kualifikuari në bazë të performancës së tij gjatë vlerësimit të dosjeve dhe intervistës”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.

Sipas përgjigjes nga OSHP, konkursi ka respektuar të gjitha procedurat ligjore. Për Gjykatën e Tenderëve, nuk ka asnjë dyshim për shkelje, pavarësisht se nga gati 40 kandidatë, fitues doli zyrtari i pushtetit.
“OSHP vepron në mënyrë të pavarur dhe paanshme. Procedura e rekrutimit është zhvilluar në harmoni me të gjitha dispozitat ligjore dhe përkatëse. Gjatë procesit të përzgjedhjes, nuk ka qenë kriter i vendosur nëse ndonjëri nga kandidatët nuk është e lejuar të jetë pjesë e cilitdo subjekti politik. Andaj ju infomojmë se kandidati që ka fituar pozitën, sipas komisoneve të vlerismit i ka plotësuar në mënyrë të shkëlqyer të gjitha kriteret e kërkuara dhe ka kaluar me sukses vlerësimin. Është e rëndësishme të theksojmë se secila palë ka pasur të drejtë ta atakojë konkursin në fjalë, por realisht, nuk ka pasur asnjë ankesë të tillë”, thuhet më tutje në përgjigje për Nacionalen.
OSHP-ja ka bërë të ditur se për këtë konkurs nuk ka pasur asnjë ankesë nga kandidatët e tjerë.
Nacionale edhe në të kaluarën ka raportuar për punësimet e personave të afërt me pushtetin, nëpër pozicione të ndryshme në ndërmarrje publike.
Përfshirë edhe me dëshmi si rasti në Ibër-Lepenc, ku me fotografi u kapën deputetët e pushtetit, teksa ndikojnë për ta punësuar në këtë ndërmarrje asamblistin e VV-së në Malishevë, Veton Zogaj.











