Dhuna në familje është shndërruar në makth për vajzat dhe gratë në vendin tonë. Numri i rasteve që denoncohen çdo ditë në Polici ka marrë përmasa shqetësuese, pasi që vetëm gjatë vitit që lamë pas janë raportuar mbi 2mijë e 500 raste të dhunës në familje. E shumë nga këto raste ndër vite kanë përfunduar me fatalitet për gratë.
Një ngjarje e frikshme ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në një familje në rrugën ‘Ilir Konushevci’ në Prishtinë, ku një burrë dyshohet se ka kërcënuar me jetë bashkëshorten e tij.
Sinjali mëson se si pasojë e dhunës sistematike psikike dhe fizike të përjetuar nga bashkëshorti i saj, 39-vjeçarja ka denoncuar rastin në Polici.
Bazuar në dëshminë e saj, i dyshuari tash e sa kohë e rrah dhe e maltreton dhe së fundi e ka kërcënuar se do e mbys me jastëk posa ajo të bjerë në gjumë.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.
Me urdhër të prokurorit, 44-vjeçari është dërguar në mbajtje.













