Prokuroria Speciale e Kosovës të premten ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 35 ish-zyrtarëve e komandantëve të lartë serbë, të cilët akuzohen për krime lufte ndaj popullsisë civile gjatë sulmit të 5,6 dhe 7 marsit 1998 në lagjen e Jasharajve në Prekaz të Skenderajt.
Gazeta Online Veriu.info e ka siguruar të plotë aktakuzën e cila i ngarkon të pandehurit me përgjegjësi për planifikimin, organizimin, koordinimin dhe drejtimin e një operacioni ushtarako-policor.
Sipas aktakuzës pas vëzhgimeve dhe përgatitjeve të shumta operacionale më 4 mars 1998 në objektin e quajtuar “Villa në zonën e Fabrikës së municionit ishte formuar shtatbi për realizimin e sulmit. Ky shtab udhëhiqej nga Gotran Radosavlievic i njohur me nofkën Guri.

Në rrjedhën e ndarjes se detyrave, me kërkesë të të pandehurit Milorad Ulemek, i njohur me nofkën “Legia”, sulmi ndaj shtëpive të familjes se Shaban Jasharit, iu kishte caktuar Njësisë për Operacione Speciale nën komandën e tij. Sipas aktakuzës pjesën tjetër e lagjes, duke filluar nga rruga e lagjes Jasharaj nga drejtimi i Skenderajt e tutje, ishte caktuar ta sulmonin Njësia Speciale Antiterroriste nga Beogradi, nën komandën e të pandehurit Zoran Simović dhe Njësia Speciale Antiterroriste nga Prishtina, nën komandën e të pandehurit Radislav Stalević.
Ndërsa njësia e veçantë e policisë me kompani nga vende të ndryshme sipas planit kishin formuar rrethin e hekurt në mënyrë që të pamundësojnë hyrje-daljet nga fshati Prekaz i Poshtëm, përkatësisht lagjja Jasharaj dhe njëkohësisht edhe të sulmonin nga pozicionet ku ishin të vendosura.


Sipas aktakuzës sulmi nisi më 5 mars 1998, rreth orës gjashtë të mëngjesit, pa paralajmërim.
Forcat serbe hapën zjarr me artileri të rëndë, tanke dhe mjete të blinduara nga drejtimi i Fabrikës së Municionit dhe nga pozicionet e tjera të rrethimit.
Prokuroria në këtë aktakuzë thekson se forcat serbe ishin të vetëdijshme për praninë e numrit të madh civilësh, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, por nuk bënë dallim mes objektivave ushtarake dhe objekteve civile.
Në ditën e parë, sipas aktakuzës, u goditën shtëpitë e Halit Jasharit dhe Hamit Jasharit.
Në kuzhinën e shtëpisë së Halit Jasharit u vranë tetë persona, mes tyre fëmijët Blerim Jashari, 5 vjeç, Bujar Jashari, 10 vjeç, Avdullah Jashari, 15 vjeç, si dhe Hanife Jashari, 17 vjeçe.
Në shtëpinë e Hamit Jasharit u vranë Smajl Bazaj dhe Fatime Bazaj, të cilët, sipas aktakuzës, ishin mysafirë.
Në ditët në vijim, sipas dokumentit, u vranë edhe Hamide Jashari, Afie Jashari, Elfie Jashari, Fatime Jashari, Hajrije Jashari dhe anëtarë të tjerë të familjes.
Në ditën e tretë të sulmit, më 7 mars, sipas aktakuzës, tanket qëlluan me predha drejt dhomës ku ishin strehuar anëtarët e familjes së Shaban Jasharit.
Nga goditja e parë, sipas dokumentit, u vranë Igballe Jashari, 12 vjeçe, Valdete Jashari, 14 vjeçe, Igball Jashari, 14 vjeç, Lirije Jashari, 14 vjeçe, Afete Jashari, 17 vjeçe dhe Selvete Jashari.
Goditja e dytë vrau Fatime Jasharin, 8 vjeçe, dhe Blerim Jasharin, 12 vjeç, të cilët ishin plagosur më herët.
Më pas, sipas Prokurorisë, dy pjesëtarë të forcave speciale iu afruan dhomës, hodhën granata dore dhe hapën zjarr me armë automatike.
Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, u vranë Blerina Jashari, 7 vjeçe, Kushtrim Jashari, 13 vjeç, dhe Hidajete Jashari.
Besarta Jashari, sipas dokumentit, ishte e vetmja e mbijetuar në atë pjesë të shtëpisë. Ajo u kap dhe u mbajt e mbyllur deri në mbrëmje në kompleksin e fabrikës.
Sipas dokumentit, raportet e autopsisë, të kryera në vitin 2002 dhe më vonë, tregojnë dëmtime të rënda nga predhat dhe shpërthimet. Gjendja e trupave, sipas aktakuzës, dokumentohet edhe përmes një fotoalbumi të përpiluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda.














