Emri i Endrit Thaçit, djalit të ish-presidentit të Kosovës dhe ish-drejtuesit politik të UÇK-së, Hashim Thaçi, ka shënuar rritje të ndjeshme të interesimit në kërkimet online pas zhvillimeve të fundit në Hagë.
Ekspertja e IT-së Nadia Elbasani, deklaroi se gjatë ditës së vendimit të Hagës u regjistruan kërkime të shumta në Google dhe YouTube për Endrit Thaçin, por edhe për djalin e Kadri Veselit.
Sipas Elbasanit, ajo që i kishte tërhequr më shumë vëmendjen nga monitorimi i saj ishte krahasimi mes interesimit online për Endrit Thaçin dhe Partinë Demokratike të Kosovës.
“Ditën e vendimit të Hagës është klikuar në mënyrë masive emri i Endrit Thaçit dhe i djalit të Kadri Veselit. Ajo që më bëri më shumë përshtypje është krahasimi mes PDK-së dhe Endrit Thaçit. Endriti, në Google, është më i klikuar se vetë PDK-ja”, deklaroi ajo.
Elbasani e interpretoi këtë interes si një shenjë të kuriozitetit në rritje të publikut, veçanërisht të brezave të rinj, ndaj familjarëve të figurave kryesore të UÇK-së.













