Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

FBI-ja i gjurmoi – si funksiononte Rydox, tregu ilegal i dy vëllezërve nga Kosova

29/09/2026 - 17:12
në Lajme
A A
FBI-ja i gjurmoi  – si funksiononte Rydox, tregu ilegal i dy vëllezërve nga Kosova
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Emra, adresa, të dhëna bankare dhe kredenciale llogarish shiteshin në një treg ilegal online të drejtuar nga dy vëllezër nga Kosova. Rydox funksionoi për vite me radhë, duke u ofruar blerësve të dhëna të vjedhura dhe mjete që mund të përdoreshin për mashtrime e krime të tjera në internet.

Dokumentet gjyqësore amerikane, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, tregojnë se si funksiononte ky treg, si e gjurmoi FBI-ja dhe si hetimi çoi te Ardit dhe Jetmir Kutleshi. Të dy vëllezërit e kanë pranuar fajësinë në SHBA. Jetmir Kutleshi është dënuar, ndërsa Arditi pritet ta mësojë masën ndëshkuese në shkurt të vitit 2027.

Në nëntor të vitit 2022, një përdorues i ri hapi llogari në platformën Rydox, ku depozitoi kriptovaluta me vlerë prej 300 dollarësh amerikanë.

Më pas, në këtë uebsajt ilegal, ai bleu rreth 40 paketa, që përmbanin të dhëna të vjedhura personale: emra, adresa, datëlindje, numra të sigurimeve shoqërore dhe të patentë-shoferëve.

Por, blerësi s’ishte përdorues i zakonshëm. Pas tij qëndroi një burim i fshehtë i Byrosë Federale të Hetimit (FBI) të Shteteve të Bashkuara. Mes të dhënave që i siguroi ishin edhe ato të një personi nga Pensilvania, identiteti i të cilit u shit pa dijeninë dhe pa lejen e tij.

Kjo blerje ishte pjesë e hetimit që do t’i çonte autoritetet amerikane te dy vëllezër në Kosovë, Ardit dhe Jetmir Kutleshi, të cilët, sipas prokurorisë, e kishin krijuar dhe e administronin tregun ilegal.

Radio Evropa e Lirë ka siguruar dokumentet gjyqësore amerikane, përfshirë aktakuzën dhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë, që përshkruajnë blerjet e fshehta, gjurmimin e pagesave dhe komunikimet mes administratorëve të tregut ilegal. Ato tregojnë se si funksiononte Rydox, dhe se si u lidh shitja e të dhënave të vjedhura me njerëzit që e drejtonin.

Ndonëse hetimi i FBI-së kishte nisur më 2022, Rydox ekzistonte prej vitesh. Sipas aktakuzës, vëllezërit Kutleshi e administronin tregun e paligjshëm të paktën nga shkurti i vitit 2016.

Me një ndërprerje në mes të viteve 2019-2020, platforma ekzistoi deri në fund të 2024-tës, kur edhe pushoi së ekzistuari pas operacionit të autoriteteve amerikane.

Në vitin 2024, ndaj dy vëllezërve u ngrit aktakuzë me gjashtë vepra penale.

Jetmir Kutleshi e pranoi fajësinë për pikën e tretë të aktakuzës – “Konspiracion për transferimin, posedimin ose përdorimin e një mjeti identifikues”.

Ai u dënua më 2025, ndërsa në masën e shpallur iu llogarit koha prej rreth 12 muajsh e mbajtur në paraburgim. Me përfundimin e dënimit, sipas vendimit, ai parashihej të kthehej në Kosovë dhe t’i kufizohej hyrja në SHBA.

Ndërkaq, vëllai i tij, Arditi, e pranoi fajësinë në shtatorin e 2026-tës, për pikën e parë dhe të gjashtë të aktakuzës: “Konspiracion për pastrim parash” dhe “vjedhje e rëndë e identitetit”.

Ai pritet ta mësojë dënimin në fillim të vitit 2027.

Një shtetas i tretë i Kosovës, Shpend Sokoli, u arrestua në Shqipëri si bashkëpunëtor i vëllezërve Kutleshi, dhe, sipas mediave shqiptare, në majin e 2026-tës u dënua në shkallë të parë me 3 vjet e 8 muaj burgim.

Radio Evropa e Lirë tentoi të merrte një koment nga avokati mbrojtës i vëllezërve, si dhe nga vetë Jetmir Kutleshi, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk mori përgjigje.

Si funksiononte Rydox?

Për përdoruesit, hyrja në Rydox niste me një adresë emaili dhe një llogari.

Për t’i blerë produktet, ata duhej fillimisht të depozitonin kriptovaluta. Tregu pranonte kriptovaluta të disa llojeve, duke përfshirë Bitcoin-in.

Paratë kalonin në kuleta digjitale, të kontrolluara nga Rydox, ndërsa përdoruesit mund ta shpenzonin gjendjen e llogarisë për produktet e ofruara.

Në katalog kishte të dhëna kartelash bankare, fjalëkalime, dhe kredenciale për hyrje në llogari emaili, për blerje online, apo për llogari në uebsajte për takime romantike.

Shiteshin edhe faqe mashtruese, mjete për dërgimin e mesazheve të padëshiruara, si dhe udhëzues për veprimtari kriminale në internet.

Paketat që bleu burimi i fshehtë i FBI-së njiheshin si “fullz”. Aktakuza i përshkruan ato si grupe të dhënash identifikuese dhe kredencialesh, që zakonisht përdoren për mashtrime financiare.

Pra, blerësit mund të siguronin në një vend të dhëna të vjedhura dhe mjete për t’i përdorur në krime. Dokumentet nuk përcaktojnë çmimin e secilës prej rreth 40 paketave të blera nga burimi i FBI-së – 300 dollarët ishin depozita në llogari, jo domosdoshmërisht shumë e shpenzuar për atë blerje.

Sipas të dhënave në aktakuzë, shtrirja e tregut ishte shumë më e madhe.

Për të përfituar nga Rydox, administratorët u kërkonin pagesë edhe atyre që donin të shisnin të dhëna të vjedhura.

Sipas aktakuzës, një përdorues duhej të paguante një tarifë të njëhershme për t’u bërë shitës. Gjatë funksionimit të Rydox-it, tarifa luhatej nga 200 deri në 500 dollarë, dhe paguhej në kriptovaluta. Më pas, shitësi e caktonte vetë çmimin e produkteve.

Nga çdo shitje, 60 për qind e shumës i takonte shitësit, ndërsa 40 për qind mbahej nga Rydox. Kështu, tregu siguronte të ardhura si nga tarifat e shitësve, ashtu edhe nga shitjet e tyre.

Prapa platformës ilegale kishte edhe punë të përditshme: përgjigje ndaj përdoruesve, pagesa për serverët, përditësime dhe shpërndarje materialesh digjitale apo produktesh.

Sipas pohimit të agjentit të FBI-së, Micah Mayotte, të paraqitur në dokumentin ku kërkohej ekstradimi i vëllezërve nga Kosova, Ardit Kutleshi u përgjigjej kërkesave të përdoruesve, përdorte llogari administrative, dhe paguante domenin dhe shërbimet që e mbanin uebsajtin në funksion.

Jetmir Kutleshi ndihmonte me përditësimin e uebsajtit dhe të serverit, si dhe me një llogari për ruajtjen dhe shpërndarjen e materialeve digjitale.

Aktakuza pretendonte, gjithashtu, se të dy përdornin llogari të Rydox-it për të shitur të dhëna të vjedhura për qasje në llogari, faqe mashtruese dhe mjete për mesazhe të padëshiruara.

Veprimtaria pati një ndërprerje nga gushti 2019 deri në shtator 2020.

Nga komunikimet mes administratorëve dhe një bashkëpunëtori, FBI-ja arriti në përfundimin se gjatë asaj periudhe ata punonin për ndryshimin dhe përditësimin e uebsajtit.

Gjurmimi i parave ishte një tjetër element që FBI-ja përdori për të lidhur Rydox-in me vëllezërit Kutleshi.

FBI tha se një pjesë e të ardhurave kalonte nga kuletat e Rydox-it në kuleta të kontrolluara nga të pandehurit.

Ardit Kutleshi, sipas hetuesve, përdorte të ardhurat e tregut edhe për të paguar serverin dhe shërbime të tjera. Përdorimi i parave të përfituara nga krimi për ta vazhduar veprimtarinë ishte një nga elementet e akuzës për komplot për pastrim parash.

Ndërkohë, blerjet e fshehta në Rydox nga FBI-ja vazhduan. Më 22 maj 2024, një burim i fshehtë i FBI-së bleu të dhëna identifikuese të një viktime, dhe të dhëna hyrjeje në një llogari me abonim të një viktime tjetër.

Të paktën gjashtë viktima të përmendura në aktakuzë janë nga Distrikti Perëndimor i Pensilvanisë.

FBI-ja tha se intervistoi viktima për të konfirmuar saktësinë e informacionit, dhe për të verifikuar se të dhënat ishin shitur pa lejen e tyre. Hetuesit analizuan edhe një kopje forenzike të serverit të Rydox-it.

Por, për t’i lidhur transaksionet me administratorët, hetuesit shqyrtuan edhe llogaritë që ata përdornin jashtë tregut.

Sipas FBI-së, vëllezërit kishin përdorur emrat e vërtetë dhe dokumentet e tyre të identifikimit për të hapur llogari të kriptovalutave.

Hetuesit krahasuan adresa emaili dhe numra telefoni. Në llogaritë e tyre gjetën edhe komunikime për administrimin e Rydox-it, ndarjen e fjalëkalimeve, faturat dhe kërkesat e përdoruesve.

Më 12 dhjetor 2024, Ardit dhe Jetmir Kutleshi u arrestuan në Kosovë, me kërkesë të SHBA-së. Në Shqipëri u arrestua edhe Shpend Sokoli, shtetas i Kosovës, të cilin Departamenti amerikan i Drejtësisë e identifikoi si administrator të tretë të Rydox-it.

Operacioni goditi edhe infrastrukturën e tregut – autoritetet amerikane sekuestruan domenin, ndërsa FBI-ja dhe policia e Malajzisë i sekuestruan serverët e Rydox-it./REL/

JU REKOMANDOJMË

Amerikani kërkoi shofere grua për bashkëshorten, suspendohet punëtori i ‘Hej Taxi’ pas komentit skandaloz

Amerikani kërkoi shofere grua për bashkëshorten, suspendohet punëtori i ‘Hej Taxi’ pas komentit skandaloz
29/09/2026 - 17:00

Një deklaratë e rëndë, me përmbajtje seksiste ndaj grave, dyshohet se është bërë nga një punëtor i kompanisë “Hej Taxi” gjatë një komunikimi me një shtetas amerikan, i...

Më shumëDetails

Kërkesa e kalkulime në presion të afatit, PDK do shpejt ndryshimin e ligjit për Specialen, LVV thotë së pari zgjedhja e Presidentit

Kërkesa e kalkulime në presion të afatit, PDK do shpejt ndryshimin e ligjit për Specialen, LVV thotë së pari zgjedhja e Presidentit
29/09/2026 - 16:50

PDK-ja po kërkon që të ndryshohet urgjentisht ligji për Gjykatën Speciale pas dënimit në shkallë të parë të ish-krerëve të UÇK-së. Kanë mbetur më pak se një javë...

Më shumëDetails

Sekretari amerikan i Shtetit reagon pas incidentit të dyshimtë pranë bazës ajrore britanike

Sekretari amerikan i Shtetit reagon pas incidentit të dyshimtë pranë bazës ajrore britanike
29/09/2026 - 16:22

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se incidenti i dyshimtë pranë bazës ajrore britanike RAF Fairford “qartësisht përfshin duart e një aktori të huaj”, ndërsa hetimet...

Më shumëDetails

Prokuroria Speciale fton zyrtarët e Listës Serbe, dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues dhe vepra të tjera

Prokuroria Speciale fton zyrtarët e Listës Serbe, dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues dhe vepra të tjera
29/09/2026 - 15:58

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka bërë të ditur se ai dhe disa zyrtarë të tjerë të kësaj partie kanë marrë thirrje, në cilësinë e të dyshuarve,...

Më shumëDetails

Komandantë të ushtrive shqiptare dhe kroate vijnë në FSK, diskutohet për koordinim e ushtrime të përbashkëta

Komandantë të ushtrive shqiptare dhe kroate vijnë në FSK, diskutohet për koordinim e ushtrime të përbashkëta
29/09/2026 - 15:48

Komandanti i FSK’së, Bashkim Jashari, ka pritur në takim komandantin e Regjimentit të Operacioneve Speciale të Republikës së Shqipërisë dhe Komandantin e Komandës së Forcave të Operacioneve Speciale...

Më shumëDetails

I dëmtuari në gjykimin ndaj Curri, Maqanit, Thaqit, Bojkut dhe Nikës : Pash që po më shkatërronin me kamatë e borxh

I dëmtuari në gjykimin ndaj Curri, Maqanit, Thaqit, Bojkut dhe Nikës : Pash që po më shkatërronin me kamatë e borxh
29/09/2026 - 15:31

Në gjykimin ndaj Ismet Osmanit i njohur si “Curri”, Mentor Maqanit, Adil Thaqit, Ilir Bojkut dhe Sami Nikës, të akuzuar për fajde, detyrim dhe mashtrim, të martën në...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Lotina dhe Mozziku më të dashuruar se kurrë, pozojnë të lumtur krah njëri-tjetrit

    Me një foto intime, Lotina uron Mozzikun për 31-vjetorin e lindjes

    92 Shpërndaje
    Shpërndaje 37 Tweet 23
  • VV dhe PDK bashkë në qeverisje? Rrustem Mustafa vjen me propozimin e papritur për “Koalicionin e Madh”

    89 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 22
  • Gani Geci e gjen vëllain e Fabio Caldinit që shau dhe akuzoi rëndë: “Më kërkoi falje, por puna nuk mbaron këtu”

    120 Shpërndaje
    Shpërndaje 48 Tweet 30
  • Deputeti i LVV’së tregon nëse e votojnë Ramush Haradinajn për president

    85 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21
  • Këta janë gjyqtarët e Apelit në rastin e krerëve të UÇK-së

    85 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë