FC Vushtrria ka reaguar ndaj deklaratave të ish-kryetrajnerit Armend Dallku, të bëra në Kanal 10, duke i cilësuar ato si të pasakta, të padrejta dhe nënçmuese ndaj klubit, stafit, lojtarëve, tifozëve dhe qytetit.
Sipas klubit vushtrrias, në takimin e fundit me anëtarët e Bordit, Dallku kishte propozuar që fillimisht të paguheshin vetëm lojtarët që kishin kontrata me klubin. Megjithatë, FC Vushtrria pretendon se në listën e pagesave të përpiluar nga ish-trajneri ishin përfshirë edhe vetë Dallku, stafi i tij teknik dhe katër futbollistë të tjerë që nuk kishin kontrata, përfshirë edhe vëllain e tij, Ardin Dallku.
Klubi bën të ditur se pjesa tjetër e obligimeve ndaj lojtarëve dhe stafit ishte paraparë të shlyhej deri në fund të vitit 2026.
Në reagim thuhet gjithashtu se, pas takimit të fundit dhe përcaktimit të listës së pagesave, planet kishin qenë që bashkëpunimi me Dallkun dhe stafin e tij të vazhdonte. Por, sipas klubit, pasi pagesat u realizuan në bazë të asaj liste, Dallku dhe stafi i tij u tërhoqën.
FC Vushtrria ka kundërshtuar edhe deklaratën e ish-trajnerit se Bordi është dorëzuar para fillimit të sezonit të ri.
“Ne nuk kemi hyrë në këtë punë për t’u dorëzuar para se të nisë sezoni, por për ta bërë krenar gjithë qytetin”, thuhet në fund të reagimit të FC Vushtrrisë.













