Gjykata Supreme ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe atë të Gjykatës së Apelit, duke vendosur që për shkak të arritjes së parashkrimit absolut të ndjekjes penale, ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit të refuzohet akuza për rastin e njohur si “Fondi 3%”.
Në këtë rast, Naser Osmani, ish-deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Atdhe Gashi dhe ish-këshilltar i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, akuzoheshin për veprën penale të “Shpërdorimit”. Kurse, për Bujar Bukoshin procedura ishte veçuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në aktgjykimin e Supremes të marrë më 30 maj 2024 nga kolegji i përbërë nga kryetarja Mejreme Mema dhe anëtarët Valdete Daka dhe Rasim Rasimi, thuhet se është miratuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e mbrojtësit dhe të dënuarit Osmani, si dhe mbrojtësit të të dënuarit Gashi.
Në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë më 23 qershor 2023, kishte shpallur aktgjykim dënues kundër të akuzuarve Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, duke i dënuar secilin me nga tri vite burgim. Kurse, Apeli më 19 dhjetor 2023, ua zbuti dënimin dy të akuzuarve, duke i dënuar me nga 18 muaj burgim.













