Legjenda e Italisë dhe Romës, Francesco Totti, zbulon se Genoa dhe Como donin ta transferonin në moshën 48-vjeçare, shtatë vjet pas pensionimit të tij.
Genoa dhe Como tentuan ta transferonin Tottin në vitin 2024, shkruan ish-sulmuesi i Romës dhe Interit në biografinë e tij.
Dy vjet më parë, Totti tha se klubet e Serie A e kishin kontaktuar për t’u rikthyer nga pensionimi dhe sot janë zbuluar identitetet e atyre klubeve.
“U thashë jo Genoas dhe Comos kur isha 48-vjeç”, shkroi Totti përmes “Sky Sport”.
Në atë kohë, Genoa drejtohej nga një fytyrë e njohur për Tottin.
“Gilardino ishte trajner i Genoas, njësoj si unë fitues i Kupës së Botës me Italinë në vitin 2006, ndërsa Cesc Fabregas ishte tashmë në stolin e Comos. Ai është një nga emrat më të mëdhenj në historinë e futbollit”, vazhdoi ish-sulmuesi i Romës.
“Gilardino ishte 42 vjeç dhe Fabregas 37, kështu që unë do të isha përkatësisht gjashtë dhe 11 vjet më i madh. Këto nuk janë legjenda urbane; është e vërteta absolute. E pabesueshme, por e vërtetë. E çmendur”, shkroi ai tutje.
Totti u pensionua në vitin 2017, pasi e kaloi të gjithë karrierën e tij si futbollist te Roma.
Ai shënoi 307 gola në 786 paraqitje për “Giallorossët”, duke fituar Scudetton në sezonin 2000/01, dy tituj të Supercoppa Italianas dhe dy tituj të Coppa Italias.
Ai është lojtari me më së shumti gola dhe paraqitje në ndeshjet zyrtare në historinë e Romës.
“Të parët që më kontaktuan ishin drejtuesit e Genoas dhe unë fola drejtpërdrejt me ta”, vazhdoi ai.
“Ata më bënë një pyetje të thjeshtë: ‘A dëshiron ta provosh këtë eksperiencë të re apo jo?’ Ata ishin seriozë. Mora pak kohë për të vendosur dhe, para se t’u jepja një përgjigje, fillova të punoja shumë, vërtet shumë. Më pëlqen Marassi. Është një stadium i bukur, i vjetër, në stilin anglez, me tifozë të apasionuar që i ndjekin ndeshjet shumë pranë fushës. Mund ta ndjesh frymën e tyre pas qafe. Dhe më pas, në fakt, ndeshjen time të fundit me fanellën e Romës e luajta pikërisht kundër Genoas; duhet të besosh te fati. Gilardino më dërgonte herë pas here mesazh në WhatsApp: ‘Atëherë?’”, vazhdoi tutje Totti.
“Arsyeja më thoshte se mund të pranoja, por zemra më thoshte jo. Pastaj rolet do të përmbyseshin”, pranoi Totti.
“Mendimet e mia do të më ndalonin, ndërsa zemra ime do të fillonte të vraponte. Në fund, gjithmonë arrija në të njëjtin përfundim, duke i bërë vetes një pyetje: ‘A mund të luash vërtet për një ekip që nuk është Roma?’”, vazhdoi legjenda e futbollit italian.
“Isha 48 vjeç, por mosha disi mund të tejkalohet. Bëhesh më i ngadalshëm, por këmba jote nuk plaket. Të gjithë pajtohen: nuk ka nevojë për Botox”, u shpreh ai.
“Roma ishte çelësi. Jo problemi dhe nuk do të jetë kurrë. Një tradhti sportive nuk ka kufi moshe, pavarësisht nëse je 18 apo 48 vjeç”, përfundoi Totti.
Totti shënoi nëntë gola në 58 paraqitje me kombëtaren e Italisë, duke fituar Kupën e Botës në vitin 2006 dhe duke arritur në finalen e Kampionatit Evropian gjashtë vjet më herët.
Ai gjithashtu fitoi Kampionatin Evropian U21 me “Azzurrinët” në vitin 1996./GazetaExpress/













