Lidhja Demokratike e Kosovës më 31 janar do të mbajë Kuvendin e Jashtëzakonshëm, ku kryetari aktual, Lumir Abdixhiku, pritet t’ua ofrojë dorëheqjen delegatëve, të cilët do ta pranojnë ose refuzojnë atë. Ndërkohë, sot është shënuar një zhvillim i ri brenda partisë, pasi ish-kryeministri Avdullah Hoti ka shpallur kandidaturën për kryetar të LDK-së.
Kjo çështje u diskutua në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ku ish-diplomati Sylë Ukshini tha se procesi duhet të menaxhohet me kujdes. “Varësisht se kush do të jetë kryetar i LDK-së, pala humbëse nuk duhet të përjashtohet, por të shihet si pjesë që mund t’i bashkohet një vizioni të elitës së re”, tha Ukshini. Sipas tij, përçarjet e brendshme e kanë dobësuar opozitën dhe kanë ndikuar në avantazhin e Vetëvendosjes.











