Komandanti i KFOR’it, Özkan Ulutaş, ka pritur sot në takim pasardhësin e tij në këtë detyrë, italianin Roberto Vergori, i cili do të marrë detyrën e komandantit të ardhshëm të KFOR-it.
KFOR tha se në ditët në vijim, të dy komandantët do të punojnë “ngushtë së bashku në kuadër të procesit të tranzicionit, për të siguruar vazhdimësinë e aktiviteteve të KFOR-it, përpara ceremonisë së dorëzimit të komandës së misionit, e cila është caktuar të mbahet më 14 tetor 2026, në Shtabin e KFOR-it”.
KFOR-i u zotua se mbetet i përqendruar plotësisht në zbatimin e mandatit të tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes.
KFOR-i tha se e përmbush këtë mandat në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.














