
Dëshmitari i 20-të (me kodin 04368), në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po dëshmon për të afërmin e tij që nuk e ka parë më asnjëherë, sipas tij, pas marrjen nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) në 1998-ën.
Fillimisht është lexuar një përmbledhje e dëshmisë së tij nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së), raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas kësaj përmbledhjeje, më 1998, disa anëtarë të armatosur të UÇK-së kanë shkuar në shtëpinë e dëshmitarit 04368 dhe familjes së tij dhe kanë marr të afërm të tij për të marr në pyetje.
Thuhet se 04368 dhe të afërm të tjerë kanë shkuar në fshatin lokal të UÇK-së dhe kanë kërkuar informata nga anëtarë të UÇK-së për të afërmin e tyre por se ata nuk e kanë parë më të afërmin e vet dhe eshtrat e të afërmit numër 1 nuk janë gjetur asnjëherë.
Paraprakisht, dëshmitari pohoi se ka dhënë dëshmi para institucioneve në Kosovë në vitin 2000 si dhe para ZPS-së në shtator 2019.
I njëjti pohoi se në seancën përgatitore me ZPS-së ka bërë disa sqarime për të cilat janë reflektuar në mënyrë të saktë dhe të qartë në shënimin zyrtar.
Andaj janë propozuar dhe më pas janë pranuar si prova deklaratat e mëparshme dhe provat materiale shoqëruese.
Kur u pyet dëshmitari se si i afërmi numër 1 kishte treguar mbështetje për UÇK-në, si i kishte trajtuar ai njerëzit në fshatin e tij duke qenë se është njohur si person me ndikim dhe të jepte shembuj ilustrativ për këtë, përgjigja e dëshmitarit ka qenë me përmbajtje të redaktuar.
Ndërkaq, ka thënë se ‘‘jo s’kemi marr, kurrë s’kemi marr informatë prej UÇK-së dhe nuk e dimë hala, hala se kemi kuptua’’, kur u pyet se ka kishin marr ndonjë përgjigje zyrtare se pse UÇK-ja kishte marr të afërmin numër 1.
Me përmbajtje të redaktuar ka qenë edhe përgjigja e tij kur është pyetur për bisedën me një ushtar të UÇK-së, i cili i kishte thënë se ‘‘i afërmi juaj numër 1 ishte i pastër’’.
Dëshmitari sërish pohoi se nuk e kanë parë dhe nuk kanë gjetur eshtrat e të afërmit të tij më asnjëherë, që kur ishte marr më 1998 nga UÇK-ja.
Tutje, me të filluar pyetje nga mbrojtësi i viktimave Simon Laws, përgjigjet po ashtu kanë qenë me përmbajtje të redaktuar.
Seanca po vazhdon me pyetjet nga ana e mbrojtjes së Thaçit, avokatit Gregory Kehoe.












