Pompat e derivateve dhe marketet shumë shpesh janë cak i hajnave. Kjo dukuri po shkakton pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Një grabitje e armatosur ka ndodhur mbrëmë edhe në qendrën tregtare QTA në lagjen Tavnik në Mitrovicë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një person i maskuar dhe nën kërcënimin e armës ka hyrë brenda marketit dhe ka terrorizuar punëtorët që ishin në orar të punës.
Ai ka arritur që të marrë nga marketi mbi 1 mijë e 300 euro para të gatshme dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes për në drejtim të panjohur.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të identifikohen dhe të arrestohen të dyshuarit.













