Një grabitje nën kërcënimin e një mjeti të mprehtë ka ndodhur pas mesnate në Prishtinë, ku një person ende i paidentifikuar ka hyrë në një market, ka kërcënuar arkëtarin dhe është larguar me paratë e arkës.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur sot, më 28 gusht, rreth orës 01:30, në marketin “Maxi24”, në rrugën “Bill Clinton”.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në momentin e grabitjes në market po punonte A. Z. 32 vjeçar.
I dyshuari, i cili sipas përshkrimit ishte i veshur me duks të bardhë dhe mbante kapuçin në kokë, ka hyrë në market dhe është drejtuar te arka.
Aty, nën kërcënimin e një mjeti të mprehtë, dyshohet se e ka kanosur arkëtarin dhe i ka kërkuar t’ia dorëzojë paratë që ndodheshin në arkë.
I dyshuari ka marrë rreth 250 euro dhe më pas është larguar në drejtim të panjohur.
Rasti është raportuar në Polici rreth dhjetë minuta më vonë, ndërsa njësitë policore kanë dalë menjëherë në lokacion.
Policët kanë patrulluar në zonën përreth në përpjekje për ta lokalizuar të dyshuarin, por deri në atë moment ai nuk është gjetur.
Për rastin është njoftuar Prokurori kompetent, me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti për veprën penale “Grabitja”.
Hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit po vazhdojnë.












