Më 7 nëntor 2024 ishte vendosur gurthemeli për ndërtimin e ndërtimin e objektit të Bibliotekës dhe Muzeut të qytetit në Skenderaj, ku në njoftimin e komunës thuhej që ky ka qenë premtim i Qeverisjes Nura, ku si i tillë i ka munguar qytetit. Por kur jemi një vit e gjysmë pas, punimet kanë ngecur plotësisht.

Veriu.info ka gjetur se kontrata për ndërtimin e të Bibliotekës dhe Muzeut në mes të autoritetit kontraktues (Komunës së Skenderajt) dhe operatorit ekonomik që ka fituar tenderin, është nënshkruar tek më 21 maj 2025 në vlerë prej 2.1 milionë.

Kjo nënkupton se kjo procedurë tenderuese ka qenë e parapërgatitur se kujt t’i jepet, ndërsa procedura e prokurimit janë zhvilluar sa për ‘sy e faqe’.
Në fotot e publikuar në momentin e vendosjes së gurthemelit, shihet se krahas logos të Komunës së Skenderajt, në anën e djatht është logo e punëkryerësit “Oil Petrol” që është emri tregtar i kompanisë së pompave të derivateve të naftës “O.P ING A SH.P.K.” me pronar Arton Musliu.



Përtej çështjes tenderuese dhe çmimeve të ‘fryera’ brenda kontratës, të cilat do t’i trajtojmë në publikimet e ardhshme, Veriu.info posedon informacione se betoni i vendosur në themel-pllakën e këtij objekti është jocilësor dhe të njëjti rrezikon sigurinë e objektit.
Burime nga Komuna e Skenderajt bëjnë të ditur se pas a-testit që i është bërë themel-pllakës, ka dalë që betoni është krejtësisht jocilësor, puna e cila nuk është pranuar nga Komisioni.
Sipas burimeve të Veriu.info, Komisioni për Mbikëqyrjen e Projektit për ndërtimin e objektit të Bibliotekës dhe Muzeut nuk e ka nënshkruar pranimin e punimeve për vendosjen e themel-pllakëz së betonit.
Për të konfirmuar këto informacione, Veriu.info ka kërkuar qasje në dokumente publike në Komunën e Skenderajt në procesverbalet dhe raportet e Komisionit Mbikëqyres, por komuna nuk na i ka dhënë as fizikisht e as nuk i ka dërguar me e-mail, duke thënë se vetëm mund të bëhet shikimi i tyre, me pretendimin se ka shumë dokumente, një absurd ky në vetëvete, pasi që si mund të shikohen e analizohet një sasi e madhe e dokumente, aq e madhe sa nuk mund të ofrohen fizikisht.

Siç mëson Veriu.info, arsyeja pse Komuna e Skenderajt nuk i ka ofruar këto dokumente, është sepse po tentohet të ndryshohet përmbajtja e tyre me intervenime politike, për shkak të afërsisë së Arton Musliut me PDK-në.
Ndryshe, investitorë të këtij projekti janë Komuna e Skenderajt dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
















