Përleshjet e konfliktet mes fqinjëve nuk janë të rralla në fshatra e qytetet e vendit. Shumë herë raste të tilla përfundojnë me rrahje brutale dhe për pasojë nevojitet ndërhyrja e Policisë. Kështu ka ndodhur edhe të hënën në fshatin Morinë të Gjakovës.
Një qytetar ka kërkuar ndihmë pasi dyshohet se është kërcënuar nga fqinji i tij përmes telefonit, i cili e ka kanosur seriozisht. Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se kanosja i ka kushtuar të dyshuarit me ndalim policor.
Siç mëson Sinjali, i dyshuari S.B., e ka kërcënuar komshiun pasi ishte kapur me të për një traktor, të cilin viktima e kishte lënë para shtëpisë së tij. Pa një pa dy, ai e ka kanosur viktimën, duke e paralajmëruar se do ta pësojë.
Ndër fjalët me të cilat dyshohet se i është drejtuar janë “hajde se po t’pres, kam me ta q* nanën e babën…” dhe fjalë të tjera kërcënuese, thonë burimet e njëjta.
Kjo ka bërë që viktima ta denoncojë atë që ka ndodhur, me ç’rast Policia ka arrestuar personin e dyshuar, i cili pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.












