Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur ngushëllime për familjen e zyrtarit policor Altin Kryeziu, i cili ka ndërruar jetë pasi nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra në një aksident komunikacioni gjatë kryerjes së detyrës.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka thënë se lajmi për vdekjen e Kryeziut e ka pikëlluar thellë. Ajo ka vlerësuar kontributin e tij si pjesëtar i Policisë së Kosovës, duke theksuar se detyrën e kishte zgjedhur si shërbim ndaj qytetarëve.
“Më pikëlloi thellë lajmi për ndarjen nga jeta të zyrtarit policor Altin Kryeziu, i cili nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra pasi u godit nga një automjet gjatë kryerjes së detyrës.Sot, familja e tij humbi njeriun e dashur, ndërkaq Policia e Kosovës një koleg dhe pjesëtar të saj që detyrën e kishte zgjedhur si shërbim ndaj të tjerëve.”, ka shkruar Haxhiu.











