“Po e them për herë të parë, unë kam qenë pro votimit për Ligjin për Specialen. Mosvotimi i saj nga ana jonë nuk është bërë për votë, është bërë për qëllim. Në politikë duhet të ketë guxim”, thotë Haziri.
Haziri ka vlerësuar se vendimi i vitit 2015 për krijimin e Dhomave të Specializuara ishte bërë duke pasur parasysh dy alternativa: një tribunal të krijuar nga OKB-ja ose një mekanizëm të vendosur përmes institucioneve të Kosovës.
Sipas tij, zhvillimet e fundit dhe ndryshimet në ligj kanë treguar se vendimi i atëhershëm u dha institucioneve të Kosovës një rol në këtë proces.
“Kjo që ka ndodhë me ndryshimin e ligjit dhe rolit të Kuvendit të Kosovës ka treguar që në vitin 2015, ata që kanë vendosur t’i bëjnë dhomat e Specialuara nuk e kanë pasë keq, sepse kanë zgjedhë mes dy opsioneve: Tribunal për Kosovën nga OKB ose Tribunal për vetveten. Kjo po të tregon drejt se atëherë kur është vendosur, ty të ka dhënë rol, nuk ka qenë gabim”, tha Haziri në BlicInterview me Astrit Gashin.













