Haziri ka treguar se ishte vetëm gjashtë vjeç kur e takoi për herë të fundit babanë e tij në shtëpinë e tyre në Kodrën e Trimave.
“Unë i kam pasë 6 vjet, për herë të fundit kur e kam taku ka qenë në shtëpi. Ne kemi jetuar në Kodrën e Trimave, edhe babi zakonisht ka ardhë natën dhe ka dalë në mëngjes herët”, ka rrëfyer ai.
Ai tha se, për shkak të moshës së vogël, kujtimet për të atin i ka të pakta, transmeton Klankosova.tv.
“Ka qenë në jetën time një njeri që e kam takuar rrallë. Nuk e mbaj mend shumë, e mbaj mend pak. Ka momente shumë pak që i kujtoj”, u shpreh Haziri.
Duke folur për fatin e babait të tij, ai tha se që nga 17 shtatori i vitit 1998 familja nuk ka pasur më informacione të sigurta për të, pavarësisht dëshmive të njerëzve që kanë qenë në dijeni të rastit.
“Prej 17 shtatorit 1998 ka pasur dëshmitarë se si ka ndodhur rasti, mirëpo nuk dimë kurrgjë më për të. Normal që menjëherë pas luftës njerëzit kanë pasur tregime, kanë thënë që mundet me qenë diku, por me kalimin e kohës qito më nuk ekzistojnë”, deklaroi ai.
Haziri theksoi se familja vazhdon të jetë në pritje dhe se ende shpreson për të mësuar fatin e babait të tij.












