Në gjykimin ndaj Ismet Osmanit i njohur si “Curri”, Mentor Maqanit, Adil Thaqit, Ilir Bojkut dhe Sami Nikës, të akuzuar për fajde, detyrim dhe mashtrim, të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, u dëgjua i dëmtuari Faton Dalladaku, i cili deklaroi se grupi i të akuzuarve përveç se e kishin shkatërruar me kamatë dhe borxh, ishin të rrezikshëm që sipas tij, ta shkatërronin edhe fizikisht.
“… isha në një situatë prej aty e pash që përveç që këta janë duke më shkatërruar me kamatën dhe borxhin që nuk e kisha marrë, ishin të rrezikshëm që të më shkatërronin edhe fizikisht”, tha Dalladaku.
Gjatë deklarimit, i dëmtuari Faton Dalladaku rrëfeu për një takim në Tiranë dhe në Vlorë së bashku me Rrahim Hashimin, Islam Selimin dhe Ismet Osmanin, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në ato takime, ai tha se kishte vizituar një lokal kazinoje që ishte në vlerën prej 700 mijë euro, vlerë e cila siç tha Dalladaku, flitej që të futej në kuadër të kompensimeve, borxhit dhe kamatës që kishte ai ndaj tyre.
Sipas Dalladakut, Osmani gjatë atij takimi në Tiranë, i kishte thënë se për hir të Rrahim Hashimit për tre muajt e ardhshëm nuk do të llogarisë kamatën për borxhin që e kishte.
Ndërkaq për shtëpinë në Pejton, Dalladaku tha se i akuzuari tjetër Sami Nika i ishte drejtuar me fjalët “shtëpia është e imja, bjeri paret ja ta rrafshoj me bollduzher”.
Ndërkaq, Dalladaku tha se i ishte përgjigjur se shtëpia rrënohet duke qenë në bolduzher/kamion.
Dalladaku foli edhe për një shumë prej 775 mijë euro, që tha se ishte fajdeja që ishte paguar përmes një prone tre-hektarëshe, e që sipas tij, te noteri kishte dalë në emër të Sami Nikës, dhe kishte mbetur edhe një shumë prej 250 mijë euro, si fajde e re.
Sipas Dalladakut, shtëpia që e kishte në Pejton, i ishte thënë nga Osmani se nuk kthehet sepse ka borxh të ri prej 250 mijë euro.
“Pas një kohe, kur e kemi pyet Ismet Osmanin, ai më tha se Sami Nika nuk mundet me ardhë prej Gjermanisë. Ka përdorë disa fjalë dhe se gjatë një vjedhje në Gjermani ai ka kërcyer nga kati katër dhe i ka thyer dy këmbët dhe është lëndu. A ka qenë e vërtetë apo shaka s’e di dhe se shtëpia nuk mundet me u kthy se e ke borxhin prej 250 mijë euro”, tha Dalladaku.
Për këtë borxh prej 250 mijë euro, i dëmtuari tha se nuk kishte pasur mundësi të paguante për faktin se për tokën nga i binte autostrada, Ministria nuk e kishte realizuar me kohë pagesën.
Ndryshe, rasti tani po gjykohet nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Alban Ajvazi dhe anëtarët Gent Beka dhe Agim Kuçi, pasi që kryetarja paraprake trupit gjykues, Medie Bytyqi është avancuar si gjyqtare në Departamentin Special.
Në këtë rast, Ismet Osmani-Curri, Sami Nika, Ilir Bojku dhe Mentor Maqani akuzohen për veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”. Ndërkaq, i akuzuari Adil Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrimi”.
Avokati i “Currit”, Besnik Berisha kishte kërkuar përjashtimin e kryetares se trupit Gjykues, Medie Bytyqit. Mirëpo, Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, ka refuzuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit. Këtë kërkesë, e refuzoi edhe Apeli.
Foto: Arkiv gjatë këtij gjykimi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.














