Kosova rrezikon të humbë një pjesë të konsiderueshme të fondeve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, nëse vendi vazhdon të mbetet pa institucione të formuara dhe funksionale. Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj duke komentuar situatën aktuale politike dhe mundësinë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje, ka thënë se pasojat e mosformimit të institucioneve janë të mëdha dhe në disa raste mund të jenë edhe të pariparueshme.
Jakaj në një intervistë për Ekonomia Online ka theksuar se gjatë dy viteve të fundit, sipas tij, në Kosovë ka pasur rrënim të kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe procesit demokratik, ndërsa ka paralajmëruar se mungesa e institucioneve legjitime dhe legale po e rrezikon edhe përfitimin nga fondet e Bashkimit Evropian.
“Ajo çka po ndodh dy vitet e fundit ka të bëjë me rrënim të kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe procesit demokratik në Republikën e Kosovës. Edhe duke mos pasur institucione stabile, legjitime dhe legale, Kosova ka humbur shumë dhe do të humbet edhe më shumë në rast se vazhdon një situatë e tillë. Veçanërisht tek plani i rritjes i Bashkimit Evropian, fondet të cilat një pjesë e tyre janë donacione, dhuratë për Kosovën, që Kosova fatmirësisht i ka marrë për arsye që e konstituojë Kuvendin në vitin 2025 për aq sa jetoi ajo legjislaturë, 61 milionë euro, në ndërkohë ne rrezikojmë që të mos i marrim një pjesë tjetër ose me vështirësi t’i marrim në një periudhë tjetër të mëvonshme, një pjesë tjetër bukur të madhe të të parave”, ka deklaruar ai.
Sipas Jakajt, vetëm deri në fund të qershorit Kosova ka humbur më shumë se 50 milionë euro, ndërsa rreziku për humbje të fondeve vazhdon edhe gjatë pjesës së mbetur të vitit.
“E dimë që deri në fund të muajit qershor ne i humbëm më shumë se 50 milionë euro, në ndërkohë për periudhën qershor deri në fund të muajit të dhjetorit rrezikojmë që të mos i marrim të gjitha ato prej 166 milionë euro nga plani i rritjes. Kjo kryesisht duke mos pasur institucione legjitime dhe legale, sepse një pjesë e madhe e këtyre aktiviteteve dhe veprimeve që duhet me i ndërmarrë në mënyrë që ato fonde me ardhur në Kosovë duhet me i plotësuar duke pasur Kuvend funksional, qeveri të re legjitime dhe legale”, ka thënë hulumtuesi i IKD-së për Ekonomia Online.
Ai ka shpjeguar se një pjesë e madhe e kushteve që duhet të përmbushen për të përfituar nga këto fonde lidhen drejtpërdrejt me funksionimin e institucioneve të Kosovës.
“Sepse një pjesë e masave dhe veprimeve ta zëmë janë projektligje, një pjesë e madhe e tyre kanë të bëjnë me miratimin e strategjive të ndryshme, një pjesë e tyre ka të bëjë me organet kolegjiale dhe individuale fuqiplota të cilat janë me përbërje të plotë të anëtarëve ku këto organe funksionojnë në bazë të Kushtetutës, ligjit dhe që operojnë në mënyrë të pandërprerë gjatë një viti. Duke mos i pasur këto institucione, pasojat do të jenë të rënda për vendin në disa çështje edhe të pariparueshme”, ka deklaruar ai.
I pyetur nëse Kosova mund të përfitojë nga Plani i Rritjes në rast se Kuvendi arrin të konstituohet, por më pas vendi shkon në zgjedhje për shkak të moszgjedhjes së presidentit, hulumtuesi i IKD-së ka thënë se ekziston një mundësi e tillë.
Jakaj thotë se nëse Kuvendi dhe qeveria arrijnë të funksionalizohen dhe të miratojnë masat e kërkuara brenda afatit, Kosova mund të përfitojë nga fondet e parapara.
“Po, në rast se ka një Kuvend që konstituohet shpejt, që rrjedh afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe deri në atë kohë nuk zgjidhet presidenti ose deri në atë kohë kur nuk zgjidhet presidenti shkojmë edhe në zgjedhje siç dihet nga gjykimi i Gjykatës Kushtetuese, Kosova mund të përfitojë fondet nga plani i rritjes, të disbursohen ato mjete tek ne për qeveri edhe për institucione të tjera, vetëm në rast se ai Kuvend edhe ajo qeveri legjitime dhe legale që del nga ai Kuvend mbërrijnë që me miratu ta zëmë një pjesë të madhe të projektligjeve të caktuara për të cilat janë kërkesa si me thënë kërkesa të plota dhe kërkesa legjitime nga plani i rritjes”, ka thënë hulumtuesi.
Megjithatë, ai ka paralajmëruar se koha në dispozicion do të ishte shumë e shkurtër dhe se institucionet do të duhej të punonin me intensitet të jashtëzakonshëm për të përmbushur kushtet e kërkuara nga Plani i Rritjes.
“Në rast se bëhen këto, po, Kosova mund të përfitojë, por duhet si me thënë të punojë edhe Kuvendi edhe qeveria nga 18 orë. Me 6 orë gjumë. Domethënë nuk mund të bëhen këto punë edhe të mbërrijnë këto mjete me punë të zakonshme, por me punë të jashtëzakonshme ku edhe qeveria, edhe Kuvendi, edhe institucionet e tjera punojnë pandërprerë, por jo me orar të rregullt të punës”, ka shtuar Jakaj.
Kuvendi i Kosovës më 13 shkurt 2026 ka miratuar marrëveshjet ndërkombëtare me Bashkimin Evropian, të njohur si Plani i Rritjes, e që parashohin përfitime prej më shumë se 880 milionë eurosh për Kosovën.
Siç ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati, ky plan vjen me 1/3 si grant dhe 629 milionë euro në formë të kredisë. Ai ka thënë se këto mjete zhbllokohen bazuar në reformat që i zbaton Kosova.
Kuvendi e miratoi me 104 vota pro marrëveshjen. 5 deputetë të Listës Serbe abstenuan.
Bashkimi Evropian e pati miratuar për Ballkanin Perëndimor pakon prej 6 miliardë eurosh në fund të 2023-s. Për shkak të bllokadës në Kuvend, ajo ka ngecur tash e sa muaj.
Këto para janë miratuar për periudhën 2024-2027.













