Mbrëmë rreth orës 19:00, Policia e Kosovës ka ndaluar 12 persona në Mitrovicën e Veriut, prej të cilëve 10 kanë qenë të mitur.
Zëvendësdrejtori i Policisë për Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani, ka dhënë detaje rreth ngjarjes, duke sqaruar se incidenti kishte nisur pasi disa të rinj kishin hyrë në këtë pjesë të qytetit me flamuj shqiptarë.
“Tri vetura me flamuj të Shqipërisë kanë hyrë në veri të Mitrovicës. Dy vetura kanë kaluar dhe janë larguar drejt jugut, ndërsa njërën e kemi ndaluar”.
Policia ka ndërhyrë sepse ka pasur shprehje provokuese dhe gjuajtje me gurë”, tha Elshani, në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova.
Në veturën e ndaluar, policia ka gjetur pesë të rinj, të cilët janë shoqëruar në stacion policor dhe janë njoftuar prindërit e tyre, pasi ishin të mitur.
Pak më vonë, në vendin e ngjarjes ka arritur edhe një tjetër veturë, e llojit “pick-up”, me shtatë persona brenda, njofton Klankosova.tv.
“Në total kemi ndaluar 12 persona, prej të cilëve 10 ishin të mitur dhe dy të rritur.
Ndërkohë, dy veturat që ishin larguar për në jug, njëra është gjetur përsëri në Mitrovicë dhe tjetra në Vushtrri. Shoferët janë gjobitur për shkelje në patentë-shofer”, ka shtuar Elshani.
Ndiqni detajet, në videon e mëposhtme:












