Në Prishtinë është shënuar 37-vjetori i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Fondacionit Qytetar Shqiptaro-Amerikan, me seminarin “Një Premtim i Mbajtur: AACL dhe Rruga e Kosovës Drejt Lirisë dhe Pavarësisë”.
Ish-kongresisti amerikan Joseph DioGuardi foli për lidhjen e tij me shqiptarët dhe përpjekjet për çështjen shqiptare në SHBA.
Duke kujtuar babanë e tij arbëresh, DioGuardi tregoi se prej tij kishte mësuar shprehjen “Gur-gur bëhet mur”.
“Kam kaluar një pjesë të mirë të jetës sime duke u përpjekur t’i tregoj botës së kush jeni ju, shqiptarët.. Babai im nuk mundi ta bënte këtë, sepse nuk kishte arsimim. Ai ishte arbëresh, vinte nga Kukësi, Shqipëri. Babai im nuk kishte arsimim; ishte fermer”, tha ai.
Ai tregoi edhe një bisedë me babanë e tij.
“Kur kam dëgjuar fjalën gur-gur bëhet mur, kam filluar ta kuptoj pak gjuhën shqipe, dhe do t’i ndaj disa fjalë me ju. Babai im me tha gur-gur bëhet mur, unë i thashë mur-mur bëhet kala”, u shpreh ai, raporton EO, transmeton Sinjali.
Ndërsa, specialisti i të drejtave të njeriut, Steven Powles KC, foli për rolin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në çështjen e Kosovës dhe mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Do të flasim për dy aspekte, që kanë dhënë kontributin e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, së pari përpjekjet që Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka bërë, duke sjellur Kosovën para drejtësisë, dhe në Hagë, dhe punës së tyre të shkëlqyeshme duke mbrojtur anëtarët e UÇK-së, të cilët janë marrë në Hagë, dhe po qëndrojnë në tribunalin e njëjtë si Sllobodan Millosheviq”, tha Powles.
Ai foli edhe për përgjegjësinë e ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, për krimet e kryera në Kosovë.
“Është e qartë që ka pasur rol të rëndësishëm që prokurori ta sjellë përpara Sllobodan Millosheviqin dhe ta akuzojë, dhe ka përfunduar që Sllobodan Millosheviqi ka qenë fajtor për krimet e luftës dhe për të gjitha tmerret që janë bërë në Kosovë, dhe natyrisht ka qenë përgjegjs për forcat serbe dhe shumë organizata paramiliotare, të cilat kanë kryer krime”, tha ai.













