
Ish-ministri i Arsimit, Jonuz Salihaj ka kritikuar institucionin që dikur e drejtonte, për vonesë në përgatitjet për furnizim me tekste shkollore për nxënësit.
Salihaj ka thënë se nuk po sheh ndonjë angazhim nga MASHTI që viti i ri shkollor të nisë normalisht sa i përket furnizimit me tekste shkollore.
“Nuk po shoh shenja të mira që edhe ky vit shkollor ka me filluar në mënyrë normale sa i përket furnizimit me tekste, kur dihet se edhe cilësia e teksteve lë për të dëshiruar, atëherë qysh në fillim lajmërohet një lloj krize, ku tekstet shkollore janë një burim i rëndësishëm i dijes. Është burim ligjor. Mosfurnizimi me kohë me tekste shkollore është shkelje e rëndë e të drejtave të fëmijëve. Sinjalet janë të këqija”, ka thënë ai në Tëvë 1.
Salihaj ka thënë se mënyra e subvencionimit të teksteve shkollore që ka zgjedh MASHTI nuk është e duhura dhe është vështirë e kontrollueshme sa i përket keqpërdorimeve.
Kjo ishte bërë pasi MASHTI kishte thënë se shtëpitë botuese kishin rritur çmimet për tekste shkollore.











