Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka kritikuar çmimet e energjisë elektrike në Kosovë, duke thënë se, në raport me të ardhurat, kosovarët janë ndër qytetarët që paguajnë energjinë elektrike më së shtrenjti.
Në një intervistë në Periskopi Podcast, Ymeri ka thënë se një nga arsyet për çmimin e lartë të energjisë është edhe numri i madh i tarifave.
“Arsyetohen me çmimin e rrymës sepse asnjë vend nuk i ka tarifat e njëjta si ne, strukturën tarifore nuk e kanë si ne. Ne i kemi katër tarifa”, ka thënë Ymeri.
Duke folur për qeverinë e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, ajo ka thënë se është vështirë të gjendet një punë që është kryer gjatë qeverisjes së tij. Për këtë, Ymeri ka dhënë edhe një shpjegim për përfshirjen e Kurtit në politikë.
“Këto vite sa jam në politikë, kam ardhë në përfundim se ky (kryeministri në detyrë Albin Kurti) është përfshirë në politikë nga inati, jo nga zelli për punë, por një kompleks të vetin që pse ky nuk është në pushtet. I ka përqesh të gjitha që ky po i bën të njëjtat vetë. Kur i dëgjon deklaratat e tij të mëhershme, e kupton se saktësisht është duke i bërë të njëjtat sot, që dikur i kritikonte. Kjo e shpjegon logjikën”, ka thënë Ymeri.
Ymeri ka qenë e ashpër edhe me bashkëpunëtorët e Kurtit që kanë qenë ministra në Qeveri.
“Ne si komb e kemi, nga historia, se pushtetin e shohim si diçka të huaj. Ky e ka pa se pushteti janë ata dhe unë, dhe ky nuk e ka menduar asnjwherw se si ta udhëheq një shtet, se ndryshe nuk i kish marrë të gjithë më budalla se vet. Asnjë aty (Vetëvendosje) nuk është më i mençur se vetë (Kurti)”, ka thënë Ymeri.











