Gazetari Vehbi Kajtazi i ka kritikuar ministrat Xhelal Sveçla dhe Albulena Haxhiu për menaxhimin e situatës së Faton Hajrizit, i arratisur nga burgu i Smrekonicës në Kosovë dhe i vrarë sot nga policia në Serbi.
Hajrizi, i cili në javën e parë të këtij muaji u arratis nga burgu, u vra pas një shkëmbimi me armë zjarri me policinë serbe në Lloznicë, një qyteti në veri-perëndim të Serbisë, në afërsi të vijës kufitare me Republikën Serbe të Bosnjës.
Dy netë më parë, Hajrizi dyshohet se e vrau një polic 34-vjeçar serb dhe plagosi një tjetër.
Në një koment në rrjetet sociale, gazetari Vehbi Kajtazi i ka goditur dy zyrtarë të lartë qeveritarë të cilët kishin përgjegjësi për arratisjen nga burgu të Hajrizit dhe arrestimin e tij.
Ai i pyeti ministrat e Drejtësisë, përkatësisht të Punëve të Brendshme, nëse do të japin llogari për ngjarjen që përfundoi me vrasjen në Serbi të Faton Hajrizit, të arratisur nga burgu vetëm dy javë më parë.
“A ju vjen marre? Sigurisht qe jo sepse nuk e njihni këtë kategori morale. A ndjeni përgjegjësi? Sigurisht qe jo sepse jeni te papërgjegjshëm. A e dini çka ka ndodhe?
Sigurisht qe jo sepse jeni te padijshëm”, ka thënë ai.
“Ikni mos t’ju sheh kush! Mbytuni ne mjerimin tuaj te lavdisë së fitores se 14 shkurtit. Koha do t’ju gjykoje. E vërteta do t’ju ndëshkojë!”.
Kujtojmë ndërkaq, dje kryeministri Kurti në një konferencë për medie, nuk e dënoi fare vrasjen e policit serb nga ana e Hajrizit, ndërsa me të vetmen çështje që u mor ishte thirrja për qytetarët që t’u adresohen autoriteteve relevante për të marrë informacione.













