Një rast vjedhjeje në një pikë të marketit “Spar” në rrugën C në Prishtinë ka marrë kthesë disa orë më vonë, kur njëri prej personave të dyshuar është kthyer sërish në të njëjtin market dhe është ndaluar.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se menaxheri i pikës, ka raportuar më 26 shtator se gjatë kontrollimit të kamerave të sigurisë ishte konstatuar se më 23 shtator, rreth orës 15:0, dy persona kishin marrë produkte ushqimore pa paguar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, vlera e produkteve të marra kap shifrën prej 488.56 euro.
Pas shikimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, rasti është proceduar për veprën penale “Vjedhja”.
Por ngjarja nuk ka përfunduar me kaq.
Rreth orës 19:50, menaxheri i marketit ka njoftuar se njëri prej personave të dyshuar ishte kthyer sërish në market.
Njësitë kanë dalë menjëherë në lokacion, ku kanë hasur të dyshuarin Gjemajl Krasniqi, 52-vjeçar.
Gjatë kontrollit, tek ai është gjetur edhe një sprej, ndërsa më pas është shoqëruar për intervistim në Stacionin Policor Jugu.
Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, rastit për vjedhje i është shtuar edhe vepra penale “Armëmbajtje pa leje”.
Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.













