
Trotinetët elektrikë po përdoren me të madhe në Kosovë. Qytetarë anë e kënd vendit po i përdorin ata si mjete transporti, duke i ikur kështu tollovisë së madhe që krijohet në komunikacion nga veturat dhe të tjerat.
Trotinetët po dalin të jenë të lakmueshëm për të gjithë, duke bërë që disa persona të mos zgjedhin formë që të pajisen me to, përfshirë vjedhjen e tyre. Një rast i tillë ku janë vjedhur dy trotinetë në vlerë të 900 eurove, ka ndodhur në Pejë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë, kur një qytetar ka raportuar në Polici se persona të panjohur i kanë vjedhur dy trotinetë elektrikë të cilët ndodheshin në oborrin e shtëpisë së tij.
Bashkë me trotinetët hajnat kanë marrë edhe mbushësit e tyre të cilët ishin të kyçur në prizë elektrike për t’u mbushur me rrymë. Pas denoncimit, njësitet policore janë vënë në lëvizje, me ç’rast kanë arritur që t’i identifikojnë dy personat e dyshuar, të cilët më pas janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Dy të dyshuarit që janë të moshave të mitura, janë intervistuar në prezencën e prindërve të tyre dhe avokatëve mbrojtës, ku para hetuesve policorë kanë pranuar se vjedhjen e kanë kryer në bashkëkryerje me dy persona të moshave madhore.
Por ky nuk është rasti i vetëm, pasi që sipas tyre, ata kanë kryer edhe shtatë vjedhje tjera në qytetin e Pejës, ku përfshihen kryesisht trotinetë elektrikë dhe biçikleta.
Trotinetët që i morën, i kanë shitur te persona tjerë, por që të njëjtit janë gjetur dhe janë sekuestruar nga Policia dhe pritet t’i kthehen në pronësi ankuesit.
Sa i përket dy të dyshuarve tjerë, ata ende nuk janë arrestuar, ndërsa dy të miturit me urdhër të prokurorit janë ndaluar për 24 orë dhe ndaj tyre kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Vjedhje e rëndë’.










