Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës e ka vlerësuar të jashtëligjshëm vendimin e kryeministrit Albin Kurti për shkarkimin e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Fadil Kodra.
Sipas vendimit të KPMShCK-së, qeveria obligohet ta rikthejë Kodrën në një pozitë të mesme drejtuese në kuadër të Shërbimit Civil, shkruan Veriu.info
“Obligohet Ministria e Punëve të Brendshme, që ankuesit Fadil Kodra t’ia kompensojë të gjitha pagat e parealizuara nga dita e shkarkimit me datë 14.10.2022 deri në ditën e zbatimit të këtij vendimi, ndërsa Drejtori i Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë obligohet që në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi emëroj ankuesin në një pozitë të mesme drejtuese apo profesionale në kuadër të Shërbimit Civil, të gjitha këto brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi”, thuhet në vendimin e KPMShCK-së.

Më 14 korrik të vitit të kaluar, Fadil Kodra ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME).
Fadil Kodra ka shërbyer si udhëheqës i agjencisë që menaxhon me njësitë e zjarrfikësve që nga viti 2010, kur ishte emëruar në këtë pozitë nga Qeveria “Thaçi 1”. Për shtatë vjet, Kodra shërbeu si Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, ndërkaq në pesë vitet e fundit ka ushtruar pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë agjenci.
Sipas përshkrimit zyrtar, misioni i AME-së është mbështetja e qytetarëve për tu përgatitur, mbrojtur dhe reaguar nga të gjitha rreziqet e mundshme, kryesisht ato natyrore.
Drejtori i shkarkuar nga detyra është familjar i Ilaz Kodrës, Komandantit të Brigadës 114 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ra heroikisht gjatë luftën për çlirimin e Kosovës më 30 prill, 1999./Veriu.info












