Veriu.info në muaj janar kishte raportuar për një hetim të nisur nga Dogana e Kosovës ndaj kompanisë “Green Med”, pas denoncimeve të pranuara për parregullsi të mundshme në dokumentacionin e importit të produkteve estetike nga Korea e Jugut. (https://veriu.info/inteligjenca-e-doganes-nis-hetimet-ndaj-green-med-nena-inspektore-ne-shendetesi-i-biri-biznes-me-produkte-medicinale/)
Rasti kishte marrë vëmendje edhe për shkak të lidhjes familjare mes pronarit të biznesit dhe një inspektores shëndetësore, Diana Shehu Devaja, e cila ushtron detyrë në të njëjtin sektor.
Ndaj këtij artikulli të publikuar nga Veriu.info në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës kishte bërë ankesë “Green Med” L.L.C. me pronar Ardit Devaja, që është djali i inspektores Diana Shehu Devaja.
“Green Med” përmes avokates Blinera Osmani kishte kërkuar nga KMShK të konstatoj se portali Veriu.info ka bërë shkelje të Kodit të Mediave të Shkruara dhe të obligojë portalin të largoj lajmin.
Pas shqyrtimit të ankesës së “Green Med”, KMShK në mbledhjen e mbajtur më 26 shkurt ka hedhur poshtë ankesën, duke nxjerrë vendim për mos miratimin e saj.


“Pas shqyrtimit të ankesës, KMShK gjen se ankesa është e pabazuar. Pra, nuk miratohet. Pas shqyrtimit të ankesës dhe shkrimit KMShK konstaton se media ka publikuar një shkrim hulumtues mbi një çështje në interes të lartë të publikut. Media ka gjetur se pala ankuese është kompani e privilegjuar, meqë nëna e pronarit të saj është edhe inspektore shëndetësore në lëminë, në të cilën kompania importon. Më tutje, media paraqet para publikut gjetjet nga hetimet e bëra nga Inteligjenca e Doganës së Kosovës bashkë me disa prova materiale. Dokumentet e publikuara janë relevante për çështje e cila trajtohet. Media e ka për obligim që para publikut ta nxjerrë të vërtetën e plotë. Në rastin konkret hulumtimi përfshin të gjitha çështjet, duke i dhënë mundësi edhe palës ankuese ta paraqesë versionin e vet. Andaj, raportimi është në përputhje me Kodin e Etikës”, thuhet në arsyetimin e vendimit të nxjerrë nga KMShK.
Artikulli i plotë ndaj të cilit është ankuar “Green Med”:















