Komuna e Podujevës që udhëhiqet nga kryetari Shpejtim Bulliqi ka zhvilluar procedurat tenderuese për furnizim më mëshqerra për blegëtorë, ku vlera e këtij tenderi ishte paraparë të jetë 429,300.00 euro
Pas procedurës tenderuese e cila për kontrata në vlerë të madhe parashihet ligjërisht të jetë 40 ditë, por që komuna e Bulliqit ka vendosur ta përfundoj vetëm për 20 ditë, fitues i këtij tenderi është shpallur kompania kontraverse “Meli” Sh.P.K., të cilët në fillim të vitit AUV i kishte pezulluar lejen e importit të kafshëve për shkak të dallavereve me importin e tyre.

Sipas kushteve të tenderit, fituesi i kësaj kontrate obligohet ta furnizoj komunën me 162 mëshqerra, me të cilat pastaj do të subvencionohen blegtorët e Podujevës.
I çuditshëm është fakti se të kriteret e tenderit, Komuna e Podujevës ka vendosur që fituesi i kontratës duhet ta bëjë furnizimin me mëshqerra nga vendet e BE-së, që nënkupton se automatikisht janë nxjerrë prej gare blegtorët vendor.
Në këtë tender që kanë konkuruar dy operatorë ekonomik, fitues është shpallur “Meli” Sh.P.K. që ka ofertuar me çmim prej 428 mijë e 4 euro, që nënkupton se komunës një mëshqerrë do t’i kushtojë 2 mijë 642 euro.
Kush është “Meli” Sh.P.K.?
Është kompani e themeluar në vitin 2011 në Prishtinë me aktivitet kryesor përpunimin dhe konservimin e mishit, ndërsa te aktivitete e tjera e ka edhe tregtinë me shumicë të kafshëve të gjalla, ku përfaqësues të autorizuar janë Mensur Bunjaku dhe Besim Bunjaku.
100% të aksioneve të MELI Sh.P.K. i zotëron kompania “Meli Holding”, e cila është e regjistruar në vitin 2022 në Podujevë. Aksionarë në “Meli Holding” janë Ramadan Bunjaku dhe Besim Bunjaku me nga 50% të aksionve. I çuditshëm është fakti se si një kompani e themeluar në vitin 2022 të jetë pronare e kompanisë së themeluar në vitin 2011.
Në maj 2025 Veriu.info kishte publikuar emrat e disa kompanive që AUV u kishte pezulluar lejet e importit të kafshëve, për shkak të dallavereve që kishin bërë me rastin e futjes së tyre në Kosovës. Në mesin e kompanive për të cilat kemi raportuar ishte edhe kompania “MELI” Sh.P.K.
Ndryshe, më 18 prill ministri në detyrë i Ministrisë së Bujqësisë Faton Peci kishte njoftuar se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka pezulluar lejet e importit për kafshë të gjalla nga Rajoni dhe BE për 28 operatorë ekonomik. Peci kishte thënë se për dekada janë improtuar në Kosovë kafshë me dokumenta të falsifikuara, që sipas tij, paraqesin rrezik për sigurinë ushqimore deri te evazioni fiskal që i është shkaktuar shtetit në vlera qindra milionëshe.













