
gjedhjet po mbahen në veri, por pavarësisht thirrjeve të institucioneve të Kosovës për ta shfrytëzuar të drejtën e votimit, serbët që përbëjnë shumicën e popullatës në atë pjesë të vendit, duket se kanë vendosur ta dëgjojnë Beogradin duke mos marrë pjesë në votim.
Gazeta Express
Në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave.
Që në mëngjes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se sipas planit ishte bërë shpërndarja e materialit zgjedhor “në bashkëpunim dhe me përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Qendrat e votimit u hapën, por që në fillim u vërejt interesimi tepër i ulët i qytetarëve për të votuar. Vetëm dhjetëra votues në veri i janë përgjigjur thirrjes së institucioneve të Kosovës për të votuar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se deri në orën 15:00, dalja e përgjithshme në zgjedhje është 2.4 për qind apo 1.092 nga 45.095 qytetarë me të drejtë vote.
Në Mitrovicën e Veriut kanë votuar 597 votues apo 3.3%; në Zveçan ka pasur 145 votues apo 2.07%, në Leposaviq 110 votues (0.83%) dhe në Zubin Potok kanë votuar 240 persona (3.6%).
Gatishmëria e Policisë dhe Prokurorit të Shtetit
Policia e Kosovës ishte bërë planifikimet e saj operacionale për këtë ditë dhe tha se po ndërmerr të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme për të ofruar siguri për mbarëvarjejen e zgjedhjeve.
“Zbatimi i planit operativ është duke u realizuar konform fazave të parapara me qëllim të krijimit të një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës gjatë procesit të votimit sot, siç e quajmë në ditën (z), ku janë angazhuar zyrtarë policorë në numër të mjaftueshëm”, njoftoi Policia.
Policia i ka inkurajuar qytetarët për bashkëpunim dhe të raportojnë çdo rast.
Ndërsa Prokurori i Shtetit po e mbikëqyr po ashtu këtë proces zgjedhor.
“Që nga ora shtatë e mëngjesit të ditës së sotme, prokurorët së bashku me Policinë e Kosovës janë të angazhuar, në stacione policore të katër komunave gjegjëse, për të mbikëqyr për së afërmi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, të cilët janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit”, njoftoi Prokurori i Shtetit.
Në këtë proces zgjedhor janë të angazhuar edhe gjyqtarët kujdestarë të cilët u tha se “janë në gatishmëri për çdo eventualitet”.











