Një 24-vjeçar nga Kosova ka pësuar lëndime pasi është rrëzuar nga një skelë në një objekt ndërtimi në Wilburgstetten të Gjermanisë.
Sipas raportimit të mediumit gjerman Nordbayern.de, aksidenti ka ndodhur të shtunën pasdite, më 24 tetor, gjatë punimeve në fasadën e një ndërtese të re.
24-vjeçari ishte duke punuar së bashku me një koleg në një skelë në lartësinë e katit të dytë, kur papritur u shkëput njëra prej platformave të saj.
Si pasojë, punëtori ra në tokë, duke pësuar një plagë të hapur në pjesën e ballit dhe një lëndim në kanalin e veshit, transmeton Telegrafi.
Sipas policisë, ai humbi përkohësisht vetëdijen, por pak më vonë u përmend.
Për shkak të lëndimeve, i riu u transportua me helikopter të emergjencës në Spitalin Universitar të Augsburgut.
Mjeku i emergjencës përjashtoi rrezikun për jetën e tij, ndërsa autoritetet nuk kishin dhënë detaje të tjera për gjendjen shëndetësore të 24-vjeçarit.
Në momentin e aksidentit, kolegu i tij ndodhej në anën tjetër të ndërtesës dhe kishte dëgjuar vetëm rënien.
















