Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim për rikthimin e kufizimit të orarit të punës nga 14 deri më datën 17 gusht.
Kjo u bë me rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për shkak të rritjes së konsiderueshme të temperaturave, ku qëllimi i këtij kufizimi të orarit është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve.
Gjatë periudhës së lartcekur, rekomandohet që të ndryshohen oraret e punës për të shmangur punën në orët më të nxehta të ditës, nga ora 11:00 deri në 16:00.
Lidhur me këtë çështje, në një intervistë për Gazeta Blic, u deklarua kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.Ai e konsideron si të arsyeshëm dhe kuptimplotë rikthimin e këtij vendimi, si dhe iu bën thirrje vet punëtorëve që të bojkotojnë punën nëse iu imponohet të punojnë brenda orës 11-16.
“Mendoj që rikthimi i këtij vendimi është i arsyeshëm dhe kuptimplotë dhe ky vendim duhet të respektohet në tërësi, megjithatë kemi informacione që ky vendim dje nuk është respektuar aq sa duhet dhe unë bëj apel te pronarët e kompanive nëse lëndohet ndonjë punëtor për shkak të temperaturave, atëherë duhet të mbajë përgjegjësi pronari, por megjithatë i bëj thirrje edhe vet punëtorët që ta bojkotojnë punën nëse dikujt i imponohet puna nga ora 11 deri në 16, sepse më me rëndësi është shëndeti i tyre sesa pagat”, deklaroi ai.Tutje, Azemi tha se Inspektorati i Punës duhet të fokusohet në ruajtjen dhe shëndetin e punëtorëve.
“Vet fakti që dje kemi pasur shumë kompani që nuk e kanë respektuar këtë orar unë mendoj po themi një mangësi, nuk e dimë sesa kanë qenë ata në teren, sa kanë vizituar terrenet por fakti që ka pasur thyerje të këtij vendimi në Prishtinë duket që nuk është në rregull dhe Inspektorati i Punës duhet që të fokusohet sidomos në këto temperatura që t’i lë të gjitha obligimet tjera dhe të fokusohet në ruajtjen dhe shëndetin e punëtorëve, sepse në këto temperatura kur paralajmërohet që janë 37 e 38 gradë, merreni me mend në hapësirat e jashtme sesa mund të shkojnë temperaturat, unë mendoj që e kalojnë edhe 45 gradë celsius”, tha ai.Azemi po ashtu tha se ky kufizim i orarit të punës nuk dërgon në dëm të sektorit privat, dhe se ky vendim sipas tij herën e pare ishte më i respektueshëm.
“Mendoj që nuk dërgon në dëm të sektorit privat këto kufizime të orarit sepse mendoj që pronarët e kompanive mund të bëjnë një orar të arsyeshëm paradite edhe pasdite, edhe pse ndoshta në këtë rast edhe mund të dëmtohen paksa punëtorët e edhe pronarët e kompanive, mirëpo mbi të gjitha është shëndeti i punëtorëve edhe pse një pjesë bukur e madhe e punëtorëve të sektorit privat të Kosovës punojnë në kushte të brendshme, d.m.th nuk i ekspozohen direkt rrezeve të diellit dhe është një numër paksa i vogël. Herën e parë ka qenë më i respektueshëm ky vendim, përderisa dje ka qenë në nivel më të lartë që nuk është respektuar ky vendim”, u shpreh ai.Për në fund, Azemi tha se pagat e punëtorëve nuk duhet prekur dhe se punëtorët sipas tij nuk janë fajtorë për gjendjen që është krijuar.
“Punëtorët nuk janë fajtorë pse kemi këtë gjendje, unë mendoj që pagat e punëtorëve duhet të jenë të paprekshëm dhe unë nuk e konsideroj që është ndonjë problem i madh edhe për kompanitë që të bëjnë pagesë konform rregullave që janë, sepse për 3-4 ditë mund t’i humbësh 3-4 orë në ditë, atëherë punëtorët e sektorit privat të Kosovës humbin po themi në atë aspektin e orarit e tyre të pushimit po themi me qindra orë brenda muajit dhe të mos flasim për këtë kompensim 3-4 orësh”, theksoi ai.“Nuk shoh arsye që të ndërhyjë Qeveria aktuale në kompensim të pagave sepse pronarët e kompanive mund të organizojnë orarin brenda dite 4 orë pasdite dhe 4 orë pasdite, nuk është ndonjë problem i veçantë”, përfundoi kryetari i Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.













