Jo vetëm ndaj arritjeve në aspektin politik të shtetit Kosovës, por edhe ndaj sportit të saj, diskursi i Albin Kurtit dhe partisë së tij, Vetëvendosje, para se të merrnin pushtetin, ishte i mbushur me një frymë të vazhdueshme mosbesimi dhe nënvlerësimi.
Shpeshherë, kjo frymë e nxitur nga Kurti, mbështillej me deklarata patriotike edhe për bashkim kombëtar, të cilat u lanë në harresë sapo lideri i Vetëvendosjes shkeli në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.
Në vend që të inkurajonte dashurinë ndaj shtetit tonë të ri dhe të vlerësonte realisht arritjet sportive (siç ishte pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA), Kurti promovonte narrativa që zbehnin çdo sukses shtetëror dhe minonin besimin në potencialin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, një strategji që i ngjan një luftë hibride, ku objektivi ishte të dobësohej dashuria dhe krenaria për shtetin e ri.
Zhvlerësimi i sukseseve dhe shtrembërimi i realitetit nuk ishin rastësi, por pjesë e një qasjeje të vazhdueshme politike të tij dhe të Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo luftë hibride, e ndjekur me çdo deklaratë dhe veprim, pengonte forcimin e ndjenjës për shtetin e Kosovës, duke e futur publikun në një klimë ku vetëbesimi kolektiv dobësohej dhe arritjet relativizoheshin.
“Kurrsesi nuk mund të ecim përpara me atë flamurin lara-lara, që e kanë nxjerrur nga strajca këta tregtarë flamujsh që e uzupruan pushtetin, që e uzurpuan shtetin, për t’u pasuruar vetë e për ta ndihmuar Serbinë”, bërtiste Kurti në demonstratën e organizuar nga partia e tij më 28 nëntor 2015.
Më 24 qershor 2016, i pyetur nga gazetarja e RTV 21, se “për kënd do të jeni tifoz, për Shqipërinë apo për Kosovën?”, Kurti kishte dhënë përgjigje me të cilën ai deklaronte se nuk besonte në rezultatet e mëdha të Përfaqësueses së Kosovës në futboll, duke qenë e ndarë nga Kombëtarja Shqiptare.
Sipas Kurtit, në një përballje mes Shqipërisë dhe Zvicrës, nëse kjo e fundit do të kishte 5 lojtarë shqiptarë në përbërje, atëherë përfaqësuesja e Shqipërisë do të duhej të shënonte 6 gola, pra një më shumë sesa numri i lojtarëve shqiptarë në ekipin zviceran.
Kështu do të duhej të ndodhte edhe në një lojë të mundshme mes Shqipërisë dhe Kosovës, sepse sipas Kurtit, ai nuk besonte në rezultate të mëdha të Kosovës, raporton Demokracia.
“Më patën pyetur edhe se për kënd do të bëjë tifo, për Zvicrën apo për Shqipërinë? Kjo pyetje nuk është më legjitime, pas këtyre tri ndeshjeve (të Shqipërisë në kampionatin evropian). Por, para kampionatit të futbollit ka pasur edhe të tillë që thonin se unë jam që kjo të kryhet edhe me fitoren e Zvicrës, ose barazim, duke e bërë një kështu si një lloj distancimi prej fitores së dëshiruar të Kombëtares Shqiptare. Unë pata thënë që: nëse do të jenë 5 futbollistë shqiptarë në kombëtaren e Zvicrës, atëherë do të duhej që Shqipëria të fitojë 6:5 dhe secili nga 5 lojtarët shqiptarë të shënojë gol”, deklaronte Kurti për RTV 21.
Kjo gjë vlente edhe në raport me Përfaqësuesen e Kosovës, sipas Kurtit.
“Edhe në raport me Përfaqësuesen e Kosovës mendoj asisoj, që: le të shënojë sa më shumë gola Përfaqësuesja e Kosovës, por unë besoj që Kombëtarja Shqiptare duhet të fitojë. Urojë që Përfaqësuesja e Kosovës të bëhet bashkë me Kombëtaren Shqiptare, sepse nuk besoj në rezultate të mëdha nëse jemi të ndarë”, deklaronte Kurti.
Madje, Kurti nuk e shihte të nevojshme as zhvillimin e pavarur të futbollit në dy shtetet, por që kjo të bëhej duke krijuar një ligë të përbashkët futbolliste.
“Ajo që duhet të përqëndrohemi tash është te krijimi i një lige të përbashkët. E mbaj mend që më herët na thoshin se nuk duhet të krijojmë ligën e përbashkët sepse kjo mund të rrezikojë anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA. Meqenëse u arritën këto dy anëtarësime, tash do të duhej që sa më parë t’i bashkojmë ligat dhe kësisoj ta rrisim edhe konkurrencën edhe përformancën”, deklaronte Kurti, i cili prej 6 vitesh është në pushtet, por s’ka bërë asnjë hap në fuqizimin e sportit në dy shtetet respektive.
“Nëse ka vullnet, kjo është e mundur. Unë jam i bindur që nuk na ndalon asgjë. Mund të na ndalojnë vetëm interesat e ngushta, të cilat do të duhej të realizoheshin në sferën private, mirëpo kurrsesi në atë publike, kombëtare”, shtonte Kurti./Paparaci















