Qeveria e re e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e parë pas votimit të saj në Kuvendin e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti, gjatë mbledhjes, ka folur edhe për vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili pritet të shpallet pasnesër.
Kurti tha se për Kosovën është e qartë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare.
“Pasnesër Kosova, ne të gjithë presim vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për drejtuesit e UÇK-së. Për ne është gjithçka e qartë, populli i Kosovës, rezistenca dhe lufta jonë ka qenë e drejtë, çlirimtare, kundrejt një pushtuesi që ka kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid”, tha Kurti.
Ai u shpreh se shpreson që edhe verdikti i së mërkurës të jetë në përputhje me atë që e cilësoi si të drejtë dhe që drejtuesit e UÇK-së të kthehen pranë familjeve të tyre.
“Besojmë e urojmë që edhe verdikti i së mërkurës të jetë në përputhje me këtë të drejtë dhe që drejtuesit e UÇK-së të kthehen të lirë në vendin e tyre dhe pranë familjeve”, u shpreh Kurti.













