Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar tri masa në sektorin e energjisë, të cilat pritet të miratohen në mbledhjen e sotme të Qeverisë.
Njëra nga masat parasheh ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, si kundërpërgjigje ndaj bllokimit të linjave ndërkufitare të interkoneksionit nga Serbia.
“Së pari do të ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompani serbe si masë e parë ndaj Serbisë për ndalimin e linjave ndërkufitare për tregim, që mund të përshkallëzohet nëse s’ka reflektim”, ka deklaruar Kurti.
Masa e dytë parasheh që Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) të obligohet të sigurojë një sasi të kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor, me qëllim të përballimit të sfidave që mund të paraqiten në furnizimin me energji elektrike.
Ndërkaq, masa e tretë emergjente lidhet me ndërmarrjen publike Ibër-Lepenc, së cilës do t’i mundësohet shitja e energjisë elektrike për furnizimin e shërbimit publik.
Sipas Kurtit, këto tri masa synojnë të adresojnë sfidat në sektorin e energjisë dhe të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm gjatë muajve të ardhshëm.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, kryeministri ka folur edhe për vizitat e javës së kaluar në Francë dhe Irlandë, ku ka thënë se është pritur nga zyrtarë të lartë shtetërorë.
Ai ka përmendur pjesëmarrjen në Forumin e Paqes në Paris, si dhe takimin me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Kurti ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik, duke vlerësuar se është thelbësore që Këshilli i NATO-s të kërkojë opinion nga Komisioni lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim.















