Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar për takimin që sot ka zhvilluar me përfaqësues të organizatave joqeveritare, mediave, kulturës, arsimit, artit, sportit dhe studentëve nga Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Pazari i Ri, së bashku me Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, deputetin Shaip Kamberi dhe Kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, të cilët i ka pritur në qeveri.
Kurti ka thënë se, gjatë takimit ai i ka dëgjuar të pranishmit për pengesat me të cilat përballen, për diskriminimin sistematik e institucional dhe, për bllokimin nga institucionet e Serbisë të mbështetjes financiare që Qeveria e Kosovës ka ndarë për shqiptarët e këtyre trevave.
‘’Mjetet duhet të zhbllokohen e të arrijnë në llogarinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar. Projektet e aprovuara duhet të realizohen sikur edhe diskriminimi nuk duhet të normalizohet’’, ka shkruar Kurti mes tjerash.
Postimi:
Sot i mirëprita në Qeverinë e Republikës së Kosovës përfaqësues të organizatave joqeveritare, mediave, kulturës, arsimit, artit, sportit dhe studentëve nga Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Pazari i Ri, së bashku me Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, deputetin Shaip Kamberi dhe Kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
I dëgjova drejtpërdrejt për pengesat e pamerituara me të cilat përballen, për diskriminimin sistematik e institucional dhe, së fundmi, për bllokimin nga institucionet e Serbisë të mbështetjes financiare që Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë për shqiptarët e këtyre trevave.
Kjo mbështetje nuk është as e fshehtë, as e paqartë dhe është komplet transparente.
Për vite me radhë, mbështetja për arsimin, kulturën, artin, sportin, median dhe organizatat e shoqërisë civile është realizuar përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar, institucionit përfaqësues të shqiptarëve sipas vetë legjislacionit të Serbisë.
Tash janë bllokuar dy transfere: 304,511.16 euro në janar të vitit 2026, dhe 1,837,511.16 euro në prill 2026. Me këto mjete lidhen 136 projekte në arsim, kulturë, artë, sport, përdorim të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare, media si dhe mbështetje për fëmijët me nevoja të veçanta, 61 familje të nxënësve që kanë humbur njërin apo të dy prindërit, si dhe programet për libra falas, praktikë profesionale dhe mbravatjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Prandaj, kjo nuk është çështje teknike, sepse kur bllokohen mjetet për libra, pasojën e ndien nxënësi. Kur bllokohet mbështetja për kulturën, dobësohet identiteti. Kur bllokohet media në gjuhën shqipe, zvogëlohet hapësira publike e shqipes. Kur bllokohen programet e Këshillit Kombëtar Shqiptar, dobësohet vetë kapaciteti institucional I shqiptarëve në këto treva.
Përfaqësuesit ngritën shqetësimin se izolimi financiar po bëhet instrument shtesë mbi një realitet tashmë të rënduar nga nën-përfaqësimi në institucione, pengesat në punësim, mosnjohja e diplomave nga Kosova, problemet me përdorimin e gjuhës shqipe dhe pasivizimin e adresave të shqiptarëve atje. Pozita e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Sanxhak është çështje e të drejtave të njeriut, e sundimit të ligjit dhe e përgjegjësisë së një shteti kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë mbështetjen për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit, Medvegjës dhe Sanxhakut, si dhe avokimin ndërkombëtar për të drejtat e tyre.
Mjetet duhet të zhbllokohen e të arrijnë në llogarinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar. Projektet e aprovuara duhet të realizohen sikur edhe diskriminimi nuk duhet të normalizohet.













