Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim në Paris me disa personalitete franceze dhe ndërkombëtare, të cilët ndër vite kanë kontribuuar dhe kanë qenë mbështetës të Kosovës.
Takimi është zhvilluar një ditë para nisjes zyrtare të Forumit të Paqes në kryeqytetin francez.
Në një postim në Facebook, Kurti ka përmendur emrat e pjesëmarrësve, në mesin e tyre ish-ministrin francez të Mbrojtjes, Alain Richard, oficerin e ushtrisë Gilles Pernet, antropologen dhe studiuesen Véronique Nahoum-Grappe, drejtoreshën e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, Frédérique Duversin, si dhe gazetaren dhe ish-korrespondenten e gazetës “Le Monde”, Florence Hartmann.
Kurti ka thënë se me ta ka diskutuar për përparimin demokratik të Kosovës, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, investimet në siguri dhe mbrojtje, si dhe planet për mandatin e ri qeverisës.
Një nga temat e diskutimit, sipas Kurtit, ishte edhe aktgjykimi i 16 shtatorit, të cilin ai e ka cilësuar si të padrejtë, si dhe angazhimi për korrigjimin e tij në procedurën e apelit.
Po ashtu, Kurti ka theksuar rëndësinë e rolit të Francës në rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik, duke shprehur mirënjohje për personalitetet që ndër vite kanë mbështetur vendin.















