Kombet e Bashkuara besojnë se e kanë zgjidhur misterin se pse një palë shkallë lëvizëse u ndalën papritmas pak pasi presidenti amerikan, Donald Trump, dhe bashkëshortja e tij, Melania, shkelën në to të martën: videografi i tij mund të ketë aktivizuar aksidentalisht një mekanizëm sigurie.
Trumpi me shaka u ankua për këtë incident gjatë fjalimit që e mbajti para udhëheqësve botërorë më herët të martën, pasi një teleprompter gjithashtu nuk funksionoi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Këto janë dy gjërat që i mora nga Kombet e Bashkuara – një palë shkallë lëvizëse të këqija dhe një telepromter të keq” – tha ai në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke shkaktuar të qeshura.
Megjithatë, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, nuk e mori me aq sportivitet ngjarjen.
“Nëse dikush në OKB qëllimisht i ndali shkallët lëvizëse, kur presidenti dhe zonja e parë po hipnin në to, ai duhet të shkarkohet dhe të hetohet menjëherë” – shkroi ajo në rrjetin X pas incidentit.
Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Stephane Dujarric, tha se të dhënat nga njësia qendrore për menaxhimin e shkallëve lëvizëse tregojnë se shkallët “u ndalën pasi një mekanizëm i instaluar i sigurisë u aktivizua në krye të shkallëve”.
Ai tha se videografi i Trumpit ishte duke lëvizur mbrapsht nëpër shkallët lëvizëse për ta fotografuar arritjen e presidentit dhe të zonjës së parë.
“Videografi ka mundur ta nxisë funksionimin e sigurisë pa dashje. Mekanizmi i sigurisë është i dizajnuar që ta parandalojë kapjen ose ngujimin e objekteve ose të njerëzve ose tërheqjen e tyre në ingranazh” – shtoi zëdhënësi i OKB-së.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment rreth gjetjeve të Kombeve të Bashkuara në lidhje me incidentin.
Sa i përket telepromterit, Trumpi të martën para udhëheqësve të botës tha: “Unë vetëm mund të them se kushdo që është duke operuar me këtë telepromter është në telashe të madhe.”
Megjithatë, një zyrtar i OKB-së tha se Shtëpia e Bardhë po operonte me telepromterin e vet.
Pasi Trumpi e përfundoi fjalimin, presidentja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ish-ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha: “Telepromterët e OKB-së janë duke funksionuar në mënyrë të përkryer.”












