Luis Figo ka shprehur admirimin e tij për Lamine Yamal, duke bërë edhe një deklaratë interesante rreth mundësisë që të luanin në të njëjtën skuadër.
Ish-futbollisti portugez, fitues i Topit të Artë në vitin 2000, pranoi me humor se prania e talentit të Barcelonës mund ta detyronte të ndryshonte pozicion.
“Nëse do të kishim luajtur në të njëjtën kohë, ndoshta mua do të më duhej të kaloja në krahun e majtë dhe të ndryshoja pozicion”, deklaroi Figo për Betfair.
Megjithatë, ai nuk harroi të përmendte edhe cilësitë e tij si futbollist. “Unë kisha një talent të jashtëzakonshëm, apo jo?”, shtoi me humor portugezi.
Figo foli edhe për mënyrën se si mund të ndalet Yamal, duke e konsideruar të çmendur idenë e një markimi individual gjatë gjithë ndeshjes.
Sipas tij, mbrojtësit duhet të tregojnë kujdes të veçantë ndaj spanjollit kur ai afrohet në zonën e tyre të mbulimit. /Gazeta Express















