Ramiz Lladrovci ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke kujtuar sakrificat dhe rezistencën e shqiptarëve ndër breza, si dhe rrugëtimin drejt lirisë së Kosovës.
Lladrovci ka shkruar se shqiptarët janë pasardhës të atyre që kanë kontribuar në luftën kundër pushtuesve dhe se rezistenca e tyre ka nisur që nga përballjet e para me forcat serbe, deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Sot, në Marsh për Liri!”, ka shkruar Lladrovci, duke bërë thirrje për mbështetje ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe duke kërkuar pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Ju presim të pafajshëm çlirimtarë!”, përfundon reagimi i tij.
Postimi i tij:
Po, na jemi pasardhës të kontribuesve kundër otomanëve, kralevinës, rankoviqizmit e millosheviqizmit.
Po na jemi ata që e filluam me hedhje gurësh kundër tankseve serbe, jemi po ata që e filluam me dy e tre karikatorë revolesh, na jemi ata që me çifte kemi gjuajtur mbi Migët luftarak të okupatorit, po ata që prisnim në radhë në vijat e frontit të kemi një armë për të zënë vendin e shokut hero, kemi prit për një shenjë të ringjalljes së adn-së së Skënderbeut, krenarisë tonë, UÇK-së…
Sot, në Marsh për Liri!
Për pafajësinë e heronjve tanë të luftës dhe paqes, Hashimit, Kadriut, Jakupit e Rexhës!
Ju presim të pafajshëm çlirimtarë!













