Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Mahmuti letër gjyqtarëve të Speciales: Hidheni poshtë akuzën për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”

13/07/2026 - 11:55
në Kryesore, Lajme
A A
Mahmuti thotë se UÇK-ja nuk ka vrarë civilë, mohon se është autor i Komunikatës së 59-të të UÇK-së
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Politologu dhe shkrimtari Bardhyl Mahmuti ia ka dërguar një letër trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke i ftuar gjyqtarët që, gjatë përpilimit të vendimit në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të mbështeten në jurisprudencën ndërkombëtare dhe t’i shmangin, siç thotë ai, “gabimet historike” në drejtësi.

Letra u është adresuar gjyqtarëve Charles Smith III, Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor, përmes Shefes së Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun, Angela Griep.

Mahmuti e krahason procesin gjyqësor në Hagë me “Çështjen Dreyfus”, duke kujtuar 120-vjetorin e vendimit të Gjykatës së Kasacionit të Francës që shpalli të pafajshëm kapitenin Alfred Dreyfus.

Sipas tij, rasti Dreyfus mbetet një shembull historik për juristët lidhur me rrezikun e ndikimeve politike dhe institucionale në vendimmarrjen gjyqësore. Ai përmend figurat franceze që mbrojtën pafajësinë e Dreyfusit, si Georges Picquart dhe Émile Zola, duke theksuar se “heshtja ndaj së vërtetës të bën bashkëfajtor në padrejtësi”.

Në letër, Mahmuti pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbahen në paraburgim prej pesë vjetësh e tetë muajsh “padrejtësisht”, ndërsa kritikon kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për dënime prej 45 vjetësh ndaj secilit prej tyre.

Ai argumenton se shtylla kryesore e aktakuzës, që lidhet me pretendimin për “ndërmarrje kriminale të përbashkët”, bie ndesh me jurisprudencën ndërkombëtare.

Letra e plotë:

DHOMAVE TË SPECIALIZUARA TË KOSOVËS NË HAGË

(Nëpërmjet znj. Angela Griep, Shefe e Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun)
Drejtuar gjyqtarëve: Çarls Smith III, Kristof Barte, Genël Metro, Fergal Gejnor
Raamweg 47
2596 HN The Hague
The Netherlands (Holandë)

Të nderuar gjyqtarë të trupit gjykues,

Në këto çaste të 12 korrikut 2026, kur jeni duke punuar rreth përpilimit të vendimit për procesin gjyqësor kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Franca përkujtoi 120-vjetorin e vendimit të Gjykatës së Kasacionit që shpalli pafajësinë e kapitenit Alfred Dreyfus.
Si juristë të shkolluar në shtetet perëndimore, ju duhet ta njihni mirë “Çështjen Dreyfus”, jo vetëm si një nga gabimet më të rënda në historinë e proceseve gjyqësore në Europën Perëndimore, por edhe si njëra nga shtyllat themelore të etikës profesionale, ku mbështeten juristët, për të shmangur ndikimet politike, ideologjike apo institucionale në sjelljen e vendimeve.

Për një jurist, “Çështja Dreyfus” i kujton, nga njëra anë, vendimin e gjykatës ushtarake për të dënuar një njeri të pafajshëm mbi bazën e një akuze të sajuar për shkak të përkatësisë së tij etnike (hebraike) dhe, nga ana tjetër, guximin intelektual të disa personaliteteve të shquara franceze.

Edhe sot, në 120-vjetorin e shpalljes së pafajësisë së plotë të Alfred Dreyfusit, kanë mbetur në kujtesën kolektive të juristëve emrat e Émilien Maurel (kryetari i trupit gjykues), Ernest Deleuze, Joseph Prieur dhe oficerët e tjerë të gjykatës ushtarake që dënuan një të pafajshëm!
Mirëpo në kujtesën kolektive të intelektualëve të shumë fushave të ndryshme të dijes, ka mbetur i skalitur respekti i madh për guximin e nënkolonelit Georges Picquart, shefin e atëhershëm të kundërzbulimit, i cili, pasi zbuloi provat e pafajësisë së Dreyfus-it, vuri të vërtetën dhe ligjin mbi interesin institucional (ushtrinë dhe shtetin). As degradimi, as transferimi dhe as burgosja, nuk e zmbrapsën kolonelin Picquart nga ndriçimi i së vërtetës.

Do të mbetet përjetësisht në kujtesën e njerëzimit, letra publike e Emil Zolës (“J’accuse…” Unë akuzoj), drejtuar Presidentit të Republikës Franceze, Félix Faure, në të cilën ai akuzoi publikisht drejtuesit ushtarakë dhe autoritetet shtetërore se kishin dënuar padrejtësisht Alfred Dreyfus-in, duke fshehur të gjitha provat që dëshmonin për pafajësinë e tij.

Shkrimtari i famshëm Emil Zola nuk u tërhoq as pas akuzës për shpifje, as pas dënimit e as pas detyrimit të emigronte në Angli, sepse ai kishte vënë tërë talentin dhe famën e tij intelektuale në shërbim të drejtësisë.
Mund të vazhdoj me qëndrimin e gazetarit Georges Clemenceau, që më vonë u bë Kryetar i Këshillit të Ministrave, filozofin dhe politikanin Jean Jaurès, Anatole France, Marcel Proust dhe shumë personalitete të tjera që rrezikuan veten për të mbrojtur të vërtetën, sepse heshtja e të vërtetës, të bën bashkëfajtor në padrejtësi.
Përveç intelektualëve që ngritën zërin kundër procesit të montuar gjyqësor ndaj Alfred Dreyfus-it, në kujtesën e njerëzimit do të mbeten edhe emrat e Alexis Ballot-Beaupré, Clément Moras, Manuel-Achille Baudouin, Alphonse Bard, Jean-Pierre Manau dhe pjesëtarëve të trupit gjykues të Dhomave të Bashkuara të Gjykatës së Kasacionit, të cilët, më 12 korrik 1906, sollën vendimin e pafajësisë së plotë të Alfred Dreyfus-it.

Të nderuar gjyqtarë të trupit gjykues,
Më 22 dhjetor 1894 Alfred Dreyfus u dënua me burg të përjetshëm, për tradhti të lartë. Pas mbajtjes në burg 4 vjet e 4 muaj. Reagimet e personaliteteve të shumta intelektuale patën ndikim të madh dhe detyruan gjykatë ushtarake që më 9 shtator 1899 të “gjejë rrethana lehtësuese dhe të ulë dënimin në 10 vjet burg”. Mirëpo ulja e dënimit nuk e uli revoltën e opinionit publik francez për këtë padrejtësi. Dhjetë ditë më vonë, Presidenti i atëhershëm Republikës së Francës, Émile Loubet, shpalli faljen për Alfred Dreyfus-in dhe e liroi nga burgu. Por falja nuk e fshinte dënimin! U dashtë të kalonin 12 vjet, që më në fund Dhomat e Bashkuara të Gjykatës së Kasacionit të Francës të shpallnin pafajësinë e plotë të Alfred Dreyfus-it

Të nderuar gjyqtarë të trupit gjykues,

Opinioni publik shqiptar dhe personalitete të shquara anekënd globit tokësor janë në dijeni për faktin se Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit qe 5 vjet e 8 muaj mbahen padrejtësisht prapa grilave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, mbi bazën e akuzave të sajuara nga Shërbimi Sekret i Serbisë, që ka qenë palë ndërluftuese me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ka kërkuar dënim prej 45 vjetësh për secilin prej tyre, që me fjalë të tjera, është burg i përjetshëm!

Procesi gjyqësor që jeni duke e drejtuar, është i një rëndësie historike që tejkalon përmasat e “Çështjes Dreyfus”.
Cili do qoftë vendimi juaj, ju do të mbeteni në kujtesën e njerëzimit.

Sa më përket mua, deri në shpalljen e vendimit, mbes me shpresë se shtyllën kryesore të akuzës që pretendon se të akuzuarit e lartpërmendur kanë qenë drejtues të një “Ndërmarrjeje kriminale të përbashkët që ka synuar vendosjen e pushtetit të tyre politik dhe kontrollin mbi tërë territorin e Kosovës”, do të keni parasysh jurisprudencën ndërkombëtare për këtë çështje.

Jurisprudenca e Gjykatës Speciale të Sierra Leones, e themeluar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së me Rezolutën 13151, të datës 14 gusht 2000, duhej të gjykonte krimet kundër njerëzimit dhe shkeljet e rënda të së Drejtës Humanitare Ndërkombëtare, që ishin bërë në këtë shtet që nga muaji nëntor 1996. Mirëpo në aktvendimin përfundimtar, gjykata hodhi poshtë pretendimet e prokurorit për t’i cilësuar kryengritësit si pjesëtarë të një “Ndërmarrjeje kriminale të përbashkët” dhe solli vendimin se, “sipas statutit të gjykatës, marrja e pushtetit politik dhe vendosja e kontrollit mbi tërë territorin e Sierra Leones, sidomos në zonat ku ishin minierat e diamantit, nuk përbën qëllim kriminal sipas statutit të Gjykatës Ndërkombëtare. Në të Drejtën Ndërkombëtare nuk ekziston asnjë normë që ndalon kryengritjen”

(https://www.refworld.org/jurisprudence/caselaw/scsl/2007/en/91904, f. 40 dhe f. 67.)
Edhe në rastin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, kemi të njëjtën akuzë.

Përderisa projekti politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte çlirimi i vendit nga Serbia dhe krijimi i një shteti demokratik, propaganda e regjimit të Sllobodan Millosheviqit përpiqej ta prezantonte luftën çlirimtare të UÇK-së si projekt kriminal.

Megjithëse Carla Del Ponte ishte në dijeni të rrjedhave të procesit gjyqësor në Gjykatën Speciale të Sierra Leones dhe të dështimit të plotë që përjetoi prokurori, i cili u përpoq të përdorte konceptin “Ndërmarrje kriminale e përbashkët” në aktakuzën kundër kryengritësve të Këshillit Revolucionar të Forcave të Armatosura në atë shtet, ajo nuk mori parasysh jurisprudencën e kësaj gjykate. Në aktakuzat kundër Fatmir Limajt, Haradin Balajt dhe Isak Musliut (2003) dhe atë kundër Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt (2005) përdori terminologjinë “Ndërmarrje kriminale e përbashkët” që ishte sajuar nga Shërbimi Sekret i Serbisë në funksion të shtrembërimit të qëllimit politik të luftës çlirimtare,

Mirëpo përpjekja e saj për të kriminalizuar luftën tonë dështoi, sepse: në të dy proceset gjyqësore të lartpërmendura, në vendimet përfundimtare gjykata shpalli pafajësinë e plotë të Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt dhe hodhi poshtë si të pabazuar pretendimin për ta prezantuar UÇK-në si “Ndërmarrje kriminale e përbashkët”.

Duke u mbështetur në këto vendime të jurisprudencës së gjykatave të lartpërmendura, kam bindjen e plotë se juristë me një integritet etik profesional do të hedhin poshtë si të pabaza pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për gjoja “Ndërmarrjen kriminale të përbashkët” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të nderuar gjyqtarë të trupit gjykues,

Përveç vendimeve të gjykatave të lartpërmendura, jurisprudencë që nuk mund ta shmangë asnjë jurist, ju jeni dëshmitarë se në procesin gjyqësor që drejtoni ju erdhën të dëshmojnë personalitete të shquara me kredibilitet ndërkombëtare.

Dëshmitë e James Rubin-it, Paul Williams-it, John Duncan-it, Jack Covey-it, Christopher Hill-it, Michael Durkee-s dhe Wesley Clark-ut do të mbeten në kujtesën e njerëzimit si përpjekje maksimale për të ndihmuar Dhomat e Specializuara të Kosovës të mos bëjnë gabim të dënojnë njerëz tërësisht të pafajshëm.

Është në ndërgjegjen tuaj drejtimi që do t’i jepni vendimit në procesin gjyqësor që do të mbetet në analet e historisë. Duke shpallur pafajësinë e plotë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në këtë proces gjyqësor të një rëndësie historike, ju do të mbeteni në kujtesën e njerëzimit në të njëjtën cilësi si të pjesëtarëve të trupit gjykues të Dhomave të Bashkuara të Gjykatës së Kasacionit të Francës, të cilët, më 12 korrik 1906, sollën vendimin për pafajësinë e plotë të Alfred Dreyfus-it.

Me respekt
Bardhyl Mahmuti
(Politolog dhe shkrimtar)
Zvicër, Vevey, 12 korrik 2026

JU REKOMANDOJMË

Geci: ‘Anton Quni duhet të jetë kandidat për President të Kosovës’

Geci: ‘Anton Quni duhet të jetë kandidat për President të Kosovës’
01/09/2026 - 22:54

Gani Geci nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në këtë subjekt politik ku gjashtë deputetë të kësaj partie vendosëm mos t’a mbështesin Bekim...

Më shumëDetails

Kurti kritikon 6 deputetët e LDK’së: Të papërgjegjeshme, absurde një sjellje të tillë nga këta 6 deputetë

Kurti kritikon 6 deputetët e LDK’së: Të papërgjegjeshme, absurde një sjellje të tillë nga këta 6 deputetë
01/09/2026 - 22:46

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka dalë në konferencë për media pas mbledhjes me grupin parlamentar të LVV. Ai foli edhe për gjashtë deputetët e LDK-së që deklaruan se...

Më shumëDetails

Kurti: Marrëveshja është e vlefshme, Bekim Sejdiu është kandidati, vullneti i Abdixhikut është i sinqertë

Kurti: Marrëveshja është e vlefshme, Bekim Sejdiu është kandidati, vullneti i Abdixhikut është i sinqertë
01/09/2026 - 22:36

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dalë në konferencë për media pas mbledhjes me grupin parlamentar të LVV. Kurti tha se marrëveshja me LDK-në është e vlefshme,...

Më shumëDetails

Haxhiu me kritika ndaj Lumir Abdixhikut: Nuk e ka fuqinë politike të jetë arrogant

Haxhiu me kritika ndaj Lumir Abdixhikut: Nuk e ka fuqinë politike të jetë arrogant
01/09/2026 - 22:23

Gazetari Baton Haxhiu, ka lëshuar Kritika të ashpra ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Haxhiu ka thënë se është lajm i keq për Kosovën që nuk po formohen...

Më shumëDetails

Çitaku: Lëreni Hashim Thaçin rehat, nuk po presim të kthehet në një post, por të kthehet i lirë

Çitaku: Lëreni Hashim Thaçin rehat, nuk po presim të kthehet në një post, por të kthehet i lirë
01/09/2026 - 22:13

Çitaku: Lëreni Hashim Thaçin rehat, nuk po presim të kthehet në një post, por të kthehet i lirëShare Button Gazeta Blic Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku,...

Më shumëDetails

Sejdiu: Kurti e ka ditur se në LDK do të ketë deputetë që s’votojnë për president

Ish-nënkryetari i VV-së: Në vend është instaluar një politikë e frikës
01/09/2026 - 22:01

Opinionisti Dardan Sejdiu, ka folur për debatin brenda LDK-së dhe kundërshtimet e disa deputetëve të saj për ta mbështetur kandidaturën e Bekim Sjediut për kryetar të shtetit. Ai...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • I ‘mbledhi’ burrat’, kështu e kaloi natën Edi Kuçi (pamje)

    I ‘mbledhi’ burrat’, kështu e kaloi natën Edi Kuçi (pamje)

    176 Shpërndaje
    Shpërndaje 70 Tweet 44
  • A do ta votojë Bekim Sejdiun? Flet Hykmete Bajrami

    123 Shpërndaje
    Shpërndaje 49 Tweet 31
  • Ekskluzive: Bajrami, Hoti, Shala, Haziri e Zemaj nuk morën pjesë në mbledhjen e sotme të LDK-së

    112 Shpërndaje
    Shpërndaje 45 Tweet 28
  • “Kamera në maicë e dëgjuese në vesh”, dyshohet se merrnin ryshfet për kalimin e testit të patentë-shoferit, kërkohet paraburgim për tre persona

    93 Shpërndaje
    Shpërndaje 37 Tweet 23
  • Këta janë 18 deputetët e LDK-së në legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës

    191 Shpërndaje
    Shpërndaje 76 Tweet 48

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë