Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka reaguar me zhvillimet e fundit në vend, pas dënimit të ish-krerëve të UÇK’së nga ana e Gjykatës Speciale.
Maliqi, ka thënë se koha që të lihet anash parehatitë personale me të shkuarën dhe të punohet për një histori gjithëpërfshirëse që i trajton pa komplekse të gjitha periudhat historike në gjithë kompleksitetin e tyre.
‘’ Kjo detyre u takon institucioneve, por edhe figurat publike duhet të ushqejnë më pak frymë “avnirrusteme” e më shumë “antonçettizëm”’’, ka shkruar ai mes tjerash.
Postimi:
Trauma kolektive e cila shpërtheu këto ditë buron nga fakti se “ballafaqimi me të kaluarën” deri vonë është marrë vetëm me dimensionin etnik – për shkak se kjo ka qenë plaga kryesore dhe interesimi i bashkësisë ndërkombëtare. Por janë neglizhuar valët historike të dhunës dhe luftërat civile brendashqiptare.
Nuk kuptohet mirë 1998-2000 pa u trajtuar edhe krimet e partizanëve dhe komunistëve, të bashkëpunëtorëve të nazizmit, të atyre pak elitave feudale/fetare që i shërbyen Kraljevinës koloniale. Nuk kuptohet UÇK-ja pa gjymtimet historike që pushtetet ia kanë bërë sidomos Drenicës.
Në këtë vend, për një shekull të tërë çdo fitues e ka rishkruar historinë dhe i ka përjashtuar nga kujtesa vuajtjet e palës humbëse, gjë që më pas e ka ushqyer një valë të re dhune. Mënyra e ngushtë se si verdikti i së mërkurës e trajtoi historinë e luftës rrezikon ta vazhdojë këtë cikël traumatik.
Është koha e fundit që t’i lëmë anash parehatitë tona personale me të shkuarën dhe të punohet për një histori gjithëpërfshirëse që i trajton pa komplekse të gjitha periudhat historike në gjithë kompleksitetin e tyre. Kjo detyre u takon institucioneve, por edhe figurat publike duhet të ushqejnë më pak frymë “avnirrusteme” e më shumë “antonçettizëm”.













