Ministria e Shëndetësisë, e cila drejtohet nga Arben Vitia, ka shpërblyer kompaninë “Santefarm” me tri lote në një aktivitet të prokurimit për furnizim me barna, me një vlerë të përgjithshme prej 5,141,955.10 euro, raporton portali Front Online.
Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, të datës 21 shtator 2026, “Santefarm” është shpallur fituese në Lotin 6, Lotin 7 dhe Lotin 8, që lidhen me furnizimin me barin Emicizumab, në doza të ndryshme.

Për Lotin 6, që përfshin Emicizumab 30 mg/1 mL, Ministria e Shëndetësisë ka kontraktuar me kompaninë “Santefarm” furnizimin e 374 copëve, në vlerë totale prej 554,600.86 euro. Sipas kësaj vlere, çmimi për një copë rezulton rreth 1,482.89 euro, raporton portali Front Online.
Për Lotin 7, që përfshin Emicizumab 60 mg/0.4 mL, Ministria e Shëndetësisë ka kontraktuar me kompaninë “Santefarm” furnizimin e 1,156 copëve, në vlerë totale prej 3,424,372.56 euro. Sipas kësaj vlere, çmimi për një copë rezulton 2,962.26 euro, raporton portali Front Online.
Ndërkaq, për Lotin 8, që përfshin Emicizumab 150 mg/mL, “Santefarm” ka fituar kontratë për furnizimin e 196 copëve, në vlerë totale prej 1,162,981.68 euro. Në këtë rast, çmimi për një copë rezulton 5,933.58 euro, raporton portali Front Online.
Vetëm këto tri lote, të fituara nga e njëjta kompani, kapin së bashku shumën prej 5.14 milionë euro.
Sipas sasive të paraqitura në dokumentacionin e tenderit, furnizimet me Emicizumab janë paraparë në forma dhe doza të ndryshme, ndërsa Ministria ka ndarë furnizimin në lote të veçanta.
Vendimi është nënshkruar më 21 shtator 2026 nga zyrtari përgjegjës i prokurimit, Berat Marmullaku.














