Lionel Messi ka nxitur sërish diskutime për të ardhmen e tij me kombëtaren e Argjentinës, pasi publikoi një mesazh emocional vetëm disa orë para finales së Kupës së Botës 2026 ndaj Spanjës.
Kapiteni argjentinas, i cili është pranë fitimit të një tjetër titulli historik botëror, ka reflektuar për rrugëtimin e tij dhe të skuadrës gjatë viteve të fundit, duke theksuar se historia e këtij grupi lojtarësh tashmë është shkruar.
“Gjëja më e mirë gjatë gjithë këtyre viteve nuk kanë qenë vetëm titujt, por i gjithë rrugëtimi. Të ndaja çdo ditë me këtë grup, të konkurronim së bashku, të ngriheshim në momentet e vështira dhe të shijonim çdo hap”, ka shkruar Messi në llogarinë e tij zyrtare në Instagram.
Ylli argjentinas falënderoi bashkëlojtarët, stafin teknik dhe të gjithë personat që kanë punuar për ta mbajtur kombëtaren si një familje.
“Faleminderit secilit prej shokëve të mi të skuadrës, stafit teknik dhe të gjithë njerëzve që punojnë çdo ditë për ta mbajtur këtë Kombëtare një familje”, ka shkruar ai.
Messi theksoi se suksesi i kësaj skuadre nuk matet vetëm me trofetë e fituar, por edhe me unitetin dhe sakrificat e bëra që nga viti 2018.
“Çfarëdo që të ndodhë, ky grup tashmë ka shkruar një histori që nuk do ta harrojmë kurrë dhe që askush nuk mund ta fshijë”, deklaroi kapiteni i Argjentinës.
Para finales ndaj Spanjës, Messi publikoi edhe një fotografi me sponsorin e tij afatgjatë, të shoqëruar me një mesazh që shumë tifozë e kanë interpretuar si një lamtumirë të mundshme nga skena ndërkombëtare.
“Çfarë rrugëtimi i jashtëzakonshëm kemi pasur së bashku… me ‘Tango-n e fundit’. Shkojmë në finale, shkojmë Argjentinë!”, shkroi Messi.
39-vjeçari tashmë ka fituar Kupën e Botës në vitin 2022 dhe është pranë një tjetër momenti historik në karrierën e tij të jashtëzakonshme, ndërsa deklaratat e tij kanë shtuar pyetjet nëse finalja ndaj Spanjës mund të jetë paraqitja e fundit e tij në një Botëror.













