Mijëra njerëz janë mbledhur të hënën në Beograd për t’i dhënë lamtumirën e fundit Ratko Mlladiqit, ish-komandantit të forcave serbe të Bosnjës, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Mlladiqi, i njohur gjerësisht si “Kasapi i Bosnjës”, vdiq në moshën 84-vjeçare, ndërsa po vuante dënimin në burgun e Kombeve të Bashkuara në Hagë të Holandës.
Ai u shpall fajtor nga Tribunali i OKB-së për krimet e luftës për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës më 1995, ku u vranë rreth 8 mijë burra dhe djem boshnjakë myslimanë. Masakra është cilësuar si krimi më i rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Fillimisht, një ministër i Qeverisë së Serbisë kishte deklaruar se Mlladiqit do t’i organizohej funeral shtetëror, por planet u ndryshuan pas kundërshtimeve nga disa liderë evropianë. Bashkimi Evropian dënoi të hënën glorifikimin e tij.
“Ratko Mlladiqi ishte një kriminel lufte i dënuar, i cili kishte kryer krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit”, thuhej në deklaratën e BE-së.
Sipas Brukselit, glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe rishikimi i historisë bien ndesh me vlerat themelore evropiane dhe nuk kanë vend në Bashkimin Evropian apo në vendet kandidate për anëtarësim.
Serbia është kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2012, ndërsa negociatat për anëtarësim janë ngadalësuar ndjeshëm gjatë periudhës së fundit.
Mlladiqi udhëhoqi forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992–1995 kundër forcave kroate dhe boshnjake. Nën komandën e tij, forcat serbe kryen fushata të dëbimit të dhunshëm të popullsisë joserbe në pjesë të Bosnjë-Hercegovinës.
Forcat e tij rrethuan edhe Sarajevën, gjatë një prej rrethimeve më të gjata të një kryeqyteti në historinë moderne, ku humbën jetën më shumë se 10 mijë persona.
Mlladiqi u arrestua në vitin 2011, 16 vjet pasi ishte akuzuar për herë të parë. Pas një procesi gjyqësor nëntëvjeçar, ai u dënua përfundimisht me burgim të përjetshëm në vitin 2021.
Pavarësisht dënimit për gjenocid, ai vazhdon të konsiderohet hero nga një pjesë e nacionalistëve serbë, veçanërisht në Republika Sërpska, entitetin e serbëve të Bosnjës, ku pas vdekjes së tij u organizuan tubime dhe ndezje qirinjsh.
Në ceremoninë e varrimit morën pjesë edhe disa zyrtarë të Qeverisë së Serbisë. Mes tyre ishin ministri i Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq, dhe ministri i Drejtësisë, Nenad Vujiq, raportuan mediat lokale.
Ceremonia fetare u udhëhoq nga patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, i cili tha se emri i Mlladiqit do të mbetej “thellë i gdhendur” në kujtesën dhe lutjet e një pjese të madhe të besimtarëve ortodoksë serbë.
Që herët në mëngjes, radhë të gjata u krijuan para kishës së vogël “Shën Luka”, ku njerëzit prisnin për të hyrë dhe për t’i bërë homazhe arkivolit. Në mesin e të pranishmëve kishte edhe veteranë të luftës, ndërsa disa persona mbanin flamuj me portretin e Mlladiqit.













