Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve ka nisur procesin rishikimit të Rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës, duke synuar ndryshimin rrënjësor të struktures aktuale të Ministrisë në kundështim me çdo praktikë dhe rregullativë që përcakton standartet organizative të strukturave në institucionet e administrates shtetërore.
Kështu, U.d. Sekretari i Përgjithshëm, Xheladin Krasniqi, me vendimin e datës 02.05.2024 ka krijuar Ekipin Punues për hartimin Rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës, duke emëruar veten kryesues të ekipit, ndërkohë që ka lënë jashtë ekipit punues të gjithë drejtuesit e departamenteve profesionale, ndërsa në ekip ka përfshirë anëtarë të jashtëm dhe zyrtarë që tashmë janë të transferuar në institucione tjera.
Pjesë e këtij ekipi është edhe Visar Salihu – arkitekt, i angazhuar nga Ministri si ekspert i jashtëm, i cili nuk ka fare përvojë në hartim legjislacioni dhe administratë.
Nacionale nga burime brenda MKRS-së mëson se në draftin e përgatitur nga kabineti i Ministrit Hajruallah Çeku, i cili tashmë i është dorëzuar ekipit punues për “hartimin” e kësaj rregullore, parashihet të shuhen një pjesë e madhe e Departamenteve sektoriale si Departamenti i Kulturës, Departamenti i Sportit, Departamenti i Rinisë, departamenti i Trashëgimisë Kulturore, ndërsa ndryshimi dhe ulja e nivelit hierarkik në njësi apo divizioneve për Departamentin për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave, Departamentin Ligjor dhe Zyrën për të Drejtat e Autorit.














