Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se sot e ka kuptuar që është në hetime të Task-Forcës Antikorrupsion të Policisë së Kosovës. Ka thënë se këtë informacion e ka marrë nga emisioni “Betimi për Drejtësi” që është transmetuar të shtunën mbrëma.
“Sapo e kuptova nga portali ‘Betimi për Drejtësinë’, që qenkam nën hetime. Deri më tani nuk kam qenë në dijeni e as që jam ftuar nga ndonjë institucion hetues. Ajo për çka jam i sigurt është që për herë të parë komunitetet po mbështeten seriozisht nga Qeveria”, ka shkruar Krasniqi, në nj reagim në Fb.
Ai është zotuar se do të punojë ndershëm dhe bazuar në ligj e transparencë.
“Ligji, transparenca dhe puna e ndershëm është baza e çdo vendimi tim. Mbesim të përkushtuar për të përmirësuar kushtet e jetesës së qytetarëve e në veçanti atyre që kanë më së shumti nevojë”, ka shkruar Elbert Krasniqi.
“Betimi për Drejtësi” ka raportuar sot në emisionin me titull “Lufta e Qeverive kundër Task Forcës Antikorrupsion” se Task Forca Anti-korrupsion në Policinë e Kosovës, aktualisht është duke hetuar së paku pesë ministra dhe një zëvendësministër të Qeverisë së Albin Kurtit.
Në mesin e atyre që po hetohet është edhe Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Ai po hetohet për një rast për keqpërdorim të detyrës zyrtare ku dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme rreth 300 mijë euro janë shpenzuar për projekte për minoritetet./BetimipërDrejtësi












